Micheal Lewis Beck, profesor i Shkencave Politike: Një nga arsyet pse nuk punoj në vendet e Lindjes është se “njerëzit tjetër gjë thonë dhe tjetër bëjnë’.

Fushatat zgjedhore shoqërohen me padurimin për të ditur rezultatin final përpara ditës finale të zgjedhjeve. Sondazhet u bënë popullorë rreth  gjysmë shekulli më parë në Amerikë. Sot shkenca ka arritur në atë nivel që të arrihet një parashikim i saktë me anë të sondazheve, por gjithçka varet nga zbatimi i rregullave dhe mënyra e përllogaritjes së marzhit të gabimit. Jo rrallë herë rezultatet e sondazheve kanë qenë të ndryshme nga rezultati final…

Fatmir Mema, profesor i Statistikës në Fakultetin e Ekonomisë kujton se gjatë vizitës për të trajnuar profesorët shqiptarë në 1996, Micheal Lewis Beck, profesor i Shkencave Politike, i cili ka kryer studime të thelluara mbi zgjedhjet, parashikimet zgjedhore dhe ekonominë politike, tha se një nga arsyet pse nuk vjen të punojë në lindje është se “njerëzit tjetër gjë thonë dhe tjetër bëjnë”.

Ka një sërë faktorësh, të cilët ndikojnë direkt në marzhin e gabimit, që sipas profesor Memës e bëjnë një sondazh të besueshëm ose jo.

Për sa i përket sondazheve të kryera në Shqipëri, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në marzhin e gabimit kanë qenë përzgjedhja e kampionit, saktësia e përgjigjes së njerëzve dhe fasha e gjerë e votuesve të pavendosur.

Çdo rezultat sondazhi është i përbërë nga kombinimi i dy variablave: përbërja demografike e elektoratit, që në Shqipëri është jo homogjene dhe se si pritet që secili grup të votojë. Jo- homogjeniteti i popullatës bën që marzhi i gabimit të sondazheve të rritet, tha profesor Mema.

Megjithëse analistët përpiqen që të bëjnë peshimin e rezultateve, arritja e një parashikimi të saktë mbetet e vështirë.

Zgjedhjet në Shqipëri kanë disa karakteristika të veçanta, p.sh. ka një grup të caktuar votuesish që janë besnikë të përhershëm të një krahu politik. Në vitin e saj më të keq zgjedhor 1993 për Partinë Socialiste të Shqipërisë  dhe në vitin 1997 për Partinë Demokratike numëroheshin rreth 27% të votuesve për secilin krah politik, thotë Mema.

Faktor tjetër, për sa i përket procesit zgjedhor në Shqipëri, është edhe procesi i votimit dhe numërimit.

Kultura e popullatës

Sondazhet zgjedhore kryhen duke intervistuar kampionin sipas një metodologjie të përcaktuar, tregon Elvis Bektasha, specialist i kërkimit të tregut. Përpiqemi që të pyesim të njëjtën gjë në forma të ndryshme për të marrë përgjigje sa më të vërtetë.

Kultura e popullatës është një ndër faktorët që ndikon më së shumti më mënyrën se si duhet të lexohen sondazhet. Rasti i Shqipërisë është specifik, sepse tek ne funksionon kultura e grupit dhe jo e individit.

 

Ndërsa për sa i përket problematikave të sondazheve lidhen më mënyrën se si organizohen (telefonata apo intervista), personin kush i ka porositur dhe kostot.

Për sa i përket pagesës, Elvis Bektasha thotë se  është një ndër faktorët kyç në realizimin e sondazheve të sakta. Tjetër faktor është mënyra e formulimit të pyetjeve dhe fakti nëse intervista do të bëhet në anonimat apo jo.

Gjithashtu për të pasur sondazhe me rezultate sa më reale duhet investuar në teknologji dhe duhet staf i trajnuar mirë. Marzhi i gabimit është në varësi të kampionit në raport me popullatën. (Marrë nga Monitor)