Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luiggi Soreca, i ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora  foli mbi krizën politike në Shqipëri.

Ai deklaroi se kriza e tanishme është një cikël që tashmë duhet të thyhet. Madje shton se respekton djegien mandateve të opozitës, por thekson se duhet të pranojë dhe dialogun me qeverinë.

Më poshtë pjesë nga intervista e Ambasadorit të BE, Luigi Soreca:

Beti Njuma: Keni 8 muaj që keni mbërritur në Shqipëri, si po e ndjeni veten këtu? Është një vend i çuditshme, një vend i mërzitshëm, me sherre politike? Ju pëlqen Shqipëria?

Luiggi Soreca: Së pari me lejoni tju falenderoj që më me keni ftuar. Këto 8 muaj kanë qenë mjaft interesante, shumë interesante. Më kanë rrëmbyer qytetarët e Shqipërisë, në kuptimin e mbresave që më kanë lënë dhe e kam kuptuar se çfarë potenciali të madh ka ky vend, në veçanti të rinjtë. Të rinjtë e Shqipërisë kanë një të ardhme në Shqipëri dhe e e ardhmja e tyre duhet bërë gati dhe duhet ruajtur për ta. Kjo është arsye se pse javën e Evropës ne këtë vit e përqëndruam te fuqia apo forca e rinisë.

Natyrisht, unë merrem edhe me situatën politike dhe që prej shkurtit është një situatë e paprecedentë për vendin. Është e rëndësishme për mua që të vazhdoj të kem hapur kanalin e komunikimit me të gjitha partitë politike. Ky ka qenë objektivi im kryesor që prej krizës politike, në mënyrë që të kem mundësi që të flas me qeverinë, e cila është homologia e natyrshme e institucionit tim.

Dialogu para zgjedhjeve, Soreca: BE gjithnjë ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë

Beti Njuma: Cila do të ishte një zgjidhje e mundshme politike për të zgjidhur krizën në të cilën jemi futur? Ju keni deklaruar edhe në daljet publike që nuk do ta negocioni atë krizë, atë le ta zgjidhin palët.

Luiggi Soreca: Dy gjëra kam për të thënë. Së pari BE gjithnjë ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë që prej rënies së komunizmit. Hapja e zyrës së parë të BE ka qenë që në fillim të viteve 90. Ne kemi qenë të përkushtuar dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar për të luajtur një rol të rëndësishëm në Shqipëri. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që sistemi politike shqiptar të kuptojë që kriza e tanishme është një cikël që duhet të thyhet, pra ka nevojë që partitë politike të gjejnë hapësirën për kompromis. Hapësira për kompromis është koha që të gjendet nëpërmjet palëve apo partive vetë. Ne jemi këtu për të ndihmuar, siç në fakt e kemi bërë edhe gjatë kësaj krize.

Beti Njuma: Në takimet që keni zhvilluar me kreun e mazhorancës dhe me kreun e opozitës, çfarë këshilli i keni dhënë, pasi duket sikur ka një vendosmëri të kryeministrit Rama për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit, ashtu sikurse edhe opozita është e vendosur që të mos ketë zgjedhje në 30 qershor madje t’i prishë ato?

Luiggi Soreca: Në takimet me qeverinë ne kemi një rend ditë apo agjendë dhe ajo agjendë është agjenda e integrimit evropian. Kështu që për mua objektivi më i rëndësishëm kur takohem qoftë me kryeministrin apo me ministrat është që t’i inkurajoj dhe t’i ftoj të bëjnë çfarëdo lloj gjëje që është e domosdoshme dhe e nevojshme për këtë agjendë të integrimit evropiane, e cila vlerësohet nga Komisioni Evropian dhe më pas nga shtetet anëtare. Por që të bëhen edhe të gjitha përpjekjet e mundshme që të hapet dera ndaj opozitës, që opozita të dëgjohet, por edhe që të ftohen në dialog. Deri më tani nuk ka ndodhur kështu. Në takimet e mia me opozitën unë e kam bërë të qartë qëndrimin tonë, kështu që nuk do ta përsëris atë. Për atë të ashtuquajturën djegia e mandateve ne besojmë që partitë duhet të qëndrojnë në kuvend, por ne, BE respektojmë vendimin e partive kryesore të opozitës për tu larguar nga Kuvendi. Kjo është e drejta e tyre të cilën e kanë ushtuar. Por ka edhe një përgjegjësi të madhe, e cila vjen me të qenit e një partie kaq të madhe, që është reagimi apo përgjigjja ndaj nevojave të qytetarëve dhe zgjedhësve.

Beti Njuma: Zoti Ambasador a do t’ i njihni zgjedhjet e 30 qershorit nëse zhvillohen pa opozitën, zonja Mogherini la të kuptohet se nuk do të ketë një kontestim ndërkombëtar?

Luiggi Soreca: Është e qartë që ne na duhet të bëjmë një dallim ndërmjet ligjshmërisë teknike dhe vlerës politike të zgjedhjeve. Nga aspekti teknik zgjedhjet do të jenë të ligjshme, me pjesëmarrjen e atyre partive që janë regjistruar për zgjedhje. Në të njëjtën kohë, çfarë janë zgjedhjet e mira? Zgjedhjet e mira janë zgjedhje në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra mund të zgjedhin mes partive të ndryshme. Prandaj ne i kemi bërë thirrje të gjitha partive politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne respektojmë vendimin e partive kryesore të opozitës që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe kjo është e drejta e tyre, është një zgjedhje e vështirë, unë e respektoj. Ne nuk biem dakord për këtë gjë pasi ne besojmë që të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje në mënyrë  që të respektohet jo vetëm vota, por edhe zgjedhësit dhe e drejta e tyre. Kjo është zgjedhja e tyre dhe ne shpresojmë që zgjedhjet do të kryhen në një mënyrë të duhur dhe pa ndonjë vepër frikësimi dhe në rast se partitë do të bien dakord përpara zgjedhjeve unë mendoj që ne natyrisht do ta mbështesim këtë gjë në një mënyrë që respekton interesin e të dyja palëve. Pra ne respektojmë si mazhorancën dhe opozitën.

Marrëveshje e minutës së fundit për krizën? Soreca: Koha po përfundon, shpresoj të përdoret

Beti Njuma: Mendoni, besoni, shpresoni se do të një kompromis të minutave të fundit mes mazhorancës dhe opozitës?

Luiggi Soreca: Fundi i kësaj jave është një afat i rëndësishëm kohor për platformën nga opozita, për prezantimin e saj. Ju e dini që nesër do të ketë një protestë të organizuar nga partitë e opozitës. Koha po përfundon. Së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, kështu që koha e mbetur është shumë e shkurtër. Unë shpresoj që ajo do të përdoret, në rast se nuk do të shfrytëzohet ne do të shohim që do të kemi një fushatë zgjedhore, shpresojmë që ajo do të jetë e paqme dhe që të kemi zgjedhje. Natyrisht që aktorët politik në Shqipëri do të duhet të përballen me të dyja palët. Pra përgjegjësia e zgjedhjeve, të cilat nuk janë të mira nga këndvështrimi politik, pasi siç e thashë zgjedhje të mira janë ato në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra të mund të zgjedhin. Ne do të vazhdojmë në këto ditë, në këto orë që të ftojmë të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne bëjmë diskutime dhe bashkëbisedime me të gjitha palët dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në minutën e fundit.

Veritas.com.al/