Para nëntë vjetësh, në 21 Janar si sot, 2011, gjatë një proteste politike të prirë nga Partia Socialiste kundër qeverisë së Partisë Demokratike, para selisë së qeverisë u vranë katër protestues.

Protesta kishte ngritur më këmbë mijëra qytetarë pasi media publikoi një video ku zëvendës- kryeministri Ilir Meta u shfaq duke marrë disa mijëra euro nga ministri i Industrisë, Dritan Prifti, që ishte zgjedhur nga partia e Metës për në qeveri. Paratë vinin nga korrupsioni qeveritar, gjë që sipas ministrit Prifti, ministrat ishin të detyruar të mblidhnin shuma të mëdha dhe t’i dërgonin te shefi i Partisë.

Çdo vit familjarët e viktimave vijnë në vendin e vrasjes dhe bëjnë nderime në 21 Janar.

Familjarët e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës e Aleks Nikës kanë marshuar në bulevardin e kryeqytetit shqiptar me lule në duar dhe lot në sy për të ndjerët që u vranë në protestën e 2011-s.
Kryeministri Edi Rama, ashtu si çdo përvjetor, vendosi kurora me lule në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, atje ku u vranë 4 protestues në 21 janar 2011.

Pak pas orës 11:00, kreu i qeverisë doli nga Kryeministria dhe i shoqëruar nga të afërmit e 4 viktimave dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste vendosi kurora me lule në Bulevard.

Veritas.com.al/