Sot të dielën e 5 qershorit, qytetarët duhet të lënë makinat, për të eleminuar sadopak ndotjen, por edhe për të kursyer naftë.

Kjo në një kohë, kur çmimi është rritur si pasojë e luftës në Ukrainë.

Ashtu siç edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, paralajmëroi, e diela e parë e të gjithë muajve, do të jetë një ditë e dedikuar pa makina në qytetet kryesore të vendit, ku ka edhe ndotje më të madhe nga mjetet e qarkullimit rrugor.

Në Tiranë, Policia ka marrë masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve.

Kufizimi i qarkullimit do të nisë nga ora 09:00 deri në orën 15:00. Ky vendim do të respektohet edhe në qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë.

Praktikisht, logjika e çështjes është që e diela e parë e çdo muaji të jetë pa automjete në 12 qytetet kryesore të çdo qarku, e më pas duke u shtrirë në të gjithë vendin.

Kufizimet në Tiranë

Rrugët ku do të kufizohet qarkullimi i mjeteve në Tiranë janë:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish- Hotel Dajti”.

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e “ish Hotel Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.

– Segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Qëllimi i nismës

Qëllimi për këtë nismë, është reduktimi i shkarkimit të gazrave që ndotin ajrin e qytetit.

Për Kumbaron, ka një plan të tërë kombëtar, pikërisht për të pakësuar emetimet e dyoksidit të karbonit dhe për të përmirësuar shëndetin e qytetarëve.

Por, kjo do të jetë edhe një mundësi për të kursyer sadopak, pas rritjes së çmimeve të karburanteve, si pasojë e krizës që ka sjellë lufta në Ukrainë.

Ndaj, qarkullimi i automjeteve duhet pakësuar.

Tirana e ka eksperimentuar këtë lloj platforme edhe më parë gjatë fundjavave, ku ka rezultuar si një nismë e suksesshme.

Ndërsa, mbi planin real për të zhvilluar projektin në gjithë qytetet shqiptare, ende nuk ka një vendim të qartë