Prokuroria e Posaçme SPAK, përmes një njoftimi për mediat, ka bërë me dije se i pandehuri Nuredin Dumani nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, siç pat dëshmuar gazetari investigativ, Artan Hoxha, në një dalje televizive në emisionin Opinion.

“Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

Sipas Hoxhës, Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë ka dëshmuar se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti socialist.

Më tej SPAK bën thirrje që mediat të tregohen të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, si dhe të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre.

Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Ai u arrestua më 29 mars pas një shkëmbimi me armë zjarri në periferi të Elbasanit.