Frrok Çupi/

Viktimat sot janë ballë përballë, të dy palët duke duartrokitur formimin e SPAK. SPAK është Struktura Speciale që do të bëjë apelin për në ferr për ‘zotat djaj’. Një nga një për atje në Purgator!

Tani dy palët e viktimave janë, e para: Mijëra njerëz të dhunuar dhe grabitur nga ‘zotat e këqij’. E dyta, që sot kthehen në ‘viktima’ të SPAK zyrtarët e lartë dhe bosët, ata që i rrëzuan jetën njeriut në këtë vend për tre dekada.

Por sot ka ndodhur si me Moisiun e Biblës: ‘Viktima’ ka duartrokitur xhelatin e vet, madje edhe e ka bekuar.

Kanë ndodhur tre ngjarje si biblike brenda ditës, nga ato ngjarje që mund të quhen ‘të zbritura nga qielli’.

E para,

presidenti i Republikës është detyruar të ‘bekojë’ SPAK-un, që siç e di sot i madh e i vogël, vetë presidenti do të jetë mes të parëve që do të paraqitet në dhomat e ftohta të SPAK. Puna ka mbërritur në pikën që ‘nëse SPAK nuk thërret Ilir Metën, kjo zhvlerëson besimin ndaj Strukturës Speciale’. Miliona legjenda të korrupsionit dhe krimit nga familja presidenciale janë endur maleve e fushave të vendit. Vetë ish- presidenti ‘legjendar’ Sali Berisha, e ka akuzuar Ilir Metën për ‘hapje varresh prapa Dajtit’ dhe për ‘trafik droge, femrash e fëmijësh’. Kaq do të mjaftonte, paçka se janë minimum… Presidenti Ilir Meta e kishte shtyrë me muaj e vite Reformën në Drejtësi duke iu betuar viktimave të tij- popull se e kishte ‘me zemër’ reformën në Drejtësi. Por ja që erdhi dita kur ai vetë ‘viktima’ të bekojë SPAK-un. Dhjetëra zyrtarë të lartë që kanë futur duart në shpirtin e këtij populli dhe i kanë marrë frymën 30 vjet do të zbresin nga ‘fronet’ e djallit.  Prapa derës ndodhen dy faktorë të mëdhenj: Drejtësia Hyjnore dhe aleatët e Perëndimit- SHBA, BE.

Ngjarja e dytë:

Para orës kur presidenti do të bekonte SPAK-un, presidenti Meta priti me mall një ‘burgaxhi’ tjetër. Kësaj here nuk e priti si xhelati në burgjet e Spaçit e të Burrelit. Jo, ishte i sinqertë. Të burgosurit e Spaçit kanë shkuar në Qiell, pak prej tyre kanë mbetur; dhe ky është fati më i madh i ‘zotave të këqij’ që shkelin mbi viktima të gjalla. Tani nuk burgoset më njeri as si Zef Mala, as si Sejfulla Malishova, as si Zef Pllumi, as si Spartak Ngjela… Tani burgosen si pisa, që kanë vjedhur, kanë dhunuar, kanë sajuar ‘babale’ dhe kanë fshehur varre prapa malit… Në zyrën e presidentit hyri një deputet i dënuar penalisht pardje: Salijanji. Më bëri përshtypje të thellë: Presidenti i kishte ngulur sytë që nga koka te këmbët si dy prozhektorë që ‘lajnë’ vendin e krimit. Ndoshta po mendonte: ‘A jam edhe unë si ky?’, ‘A do të jetë ky portret si sot pas një muaji në burg?’… Zoti e ka pajisur njeriun me një ‘pasaportë’ që e tregon frikën e vet kur shikon dekompozimin e tjetrit… Por Salijanji i bie që të dalë nga burgu para këtyre që do të thërrasë SPAK.

Ngjarja e tretë:

Hebrenjtë po ndërtojnë sot një shtëpi të shembur nga tërmeti i 26 nëntorit në një fshat të Tiranës, Qarrishtë. I zoti i shtëpisë quhet Muhamed Biçaku, si Muhamedi- profet fqinj i hebrenjve. Muhamedi për 30 sekonda mbeti pa shtëpi mbi kokë. Hebrenjtë e ndjenë menjëherë dhe kanë ardhur në ndihmë; shtëpia i bën 45 mijë euro… A e solli Zoti lajmin, siç solli SPAK-un te ne viktimat e gjalla të pushtetit tonë? Më duket se po… Babai i Muhamedit pesë- vjeçar, Mefail Biçaku me të vëllanë, gjatë Luftës së Dytë kur gjermanët ndiqnin hebrenjtë për t’i djegur në furrën Naziste, këta dy fshatarë shqiptarë fshehën dhe strehuan 20 prej tyre. Hebrenjtë nuk harruan kurrë; kujtesa  e shenjtë i ktheu te Muhamedi në pikën e tij më të keqe: Tërmet. A ishte Zoti apo Njeriu që e bëri?

Njeriu ka një lidhje me fatin e tij. Njësoj siç po thonë njerëzit kudo se ‘edhe ne e kemi fatin të na vijë një FARK që do të farkëtojë hekura për krimin dhe shanse drejtësie për ne’.

Të tri ngjarjet ndodhën brenda ditës! A nuk të bëjnë të besosh se ‘ka një sy’ që shikon.

Ndryshe ne nuk kishim asnjë shpresë, as Muhamedi…, më shumë shpresa kishin pasur atëherë hebrenjtë në Qarrishtë të Tiranës se ne para krimit ‘tonë’….

VERITAS.COM.AL/