Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas zhvendosjes së Sunny Hill Festival në Tiranë, ka bërë të ditur se i njëjti është vendosur që të mbahet në Prishtinë.

“Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022”.

“Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë”, ka shkruar Rama.

Lokacioni akoma nuk është bërë i ditur nga Komuna e Prishtinës, por është thënë se do të vendoset ditët në vijim.

“Institucionet qendrore dhe lokale bashkarisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm”.

“Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.

Ndërkaq, thuhet se synim është që ky festival të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.

“Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht”.

(Moment nga Festivali “Sunny Hill”)

“Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë”, është shprehur Rama.

Sunny Hill Festival, ishte vendosur se këtë vit do të organizohet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Arsyeja pse është ndërruar lokacioni ka qenë për shkak të neglizhencës nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ishte thënë se lënda nuk ka qenë e kompletuar.

“MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh”.

Tutje janë bërë të ditura dokumentet esenciale që kanë munguar gjatë aplikimit.

“Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit, Qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin  23  të Rregullorës (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”.

Përparim Rama: Zvarritjet e Qeverisë e çuan “Sunny Hill”-in në Tiranë

Ndaj këtij vendimi kishte reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për zhvendosjen e Festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.

Ai, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, kishte thënë se vendimi vjen pas zvarritjeve të Qeverisë.

“Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës, duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.

Lipa, pas zhvendosjessë festivalit “Sunny Hill” në Tiranë: E gjetëm veten peng të politikbërjës

Edhe themeluesi dhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, kishtepublikuar letrën, të cilën ua ka dërguar krerëve të shtetit për anulimin e edicionit të tretë të festivalit më të madh muzikor në vend.

Ai ka thënë se, pavarësisht përpjekjeve, e ka gjetur edhe festivalin si “peng të politikbërjes” në Kosovë.

17 hektarë tokë ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë

Ndryshe 17 hektarë tokë bujqësore në Bernicën e Poshtme ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill”.

Me 26 pro, 19 kundër dhe 3 abstenime në seancën e Kuvendit Komunal ishte votuar pro dhënies së tokës së paluajtshme të komunës për këtë festival, për 99 vjet.

Opozita ishte kundër dhënies prej 17 hektarësh në pronësi të një kompanie për kaq shumë vjet. Për të votuar, ata kërkuan të ndryshohen disa pika.

Moment nga Sunny Hill Festival.

“Nuk jemi kundër, por janë diskutabile disa pika. Ndërprite sot dhe kthehu pas dy apo tri dite me një kontratë më të favorshme dhe na keni të gjithë asamblistëve pro. Një pronë publike prej 17 hektarësh, përafërsisht është 30 fusha futbolli, po ja japim një kompanie. Jemi fuqishëm t’i ndajmë parcelë ‘Sunny Hillit’, por duhet të arrihet një barazi interesi”, kishte thënë asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

Festivali “Sunny Hill” në dy vitet paraprake ishte mbajtur në Gërmi.