Thirrjet antishqiptare dhe raciste që u dëgjuan një ditë më parë në Krushevë, janë dënuar edhe nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Para syve të presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov, gjatë ceremonisë së vendosjes së luleve në Meçkin Kamen në Krushevë, një pjesë e të pranishmëve lëshuan thirrje anti-shqiptare “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”.

Nisur nga kjo situatë, ministria shqiptare dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare, ndërsa thekson se incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike duhet të mbeten të izoluara.

“MEPJ shpreh keqardhjen dhe dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare të hedhura dje gjatë ceremonisë së festimit të kryengritjes së Ilindenit në Meçkin Kamen në Krushevë.

Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara. MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë”, thuhet në reagimin e Ministrisë sonë të Jashtme.

Veritas.com.al/