Frrok Çupi/

Sot  do të mblidheshin tre liderët kryesorë të Europës: Merkel, Holande dhe Renzi.  “Tre liderët kryesorë”, e thashë për politesë, se në fakt janë “tre liderët e mbetur”. Nesër e pasnesër pritet të ndodhë që edhe Holanda të aplikojë për “Brexit”, që mund të quhet “Holexit”.

Tre liderët kryesorë  quhen “ata që mbetën” jo veç për arsyen se të tjerët ikën ose po ikin, tashmë. Jo. Thelbi është se edhe pse këta janë, në fakt po bëjnë pozat e një lidershipi të dëshpëruar dhe qesharak. Se po të ishin që këta, edhe pse vetëm tre, të ishin De Gol, Adenauer dhe Altiero Spinelli, atëherë nuk kishte arsye pse t’i shikonim me dëshpërim. Jo, në vend të atyre kolosëve, tani kemi zotin Holande, zonjën Merkel dhe zotin Renzi.  Sot është parashikuar që kancelaria e Gjermanisë dhe presidenti i Francës të jenë të ftuarit e kryeministrit italian, diku në një ishull përballë Napolit, emrin e të cilit mediat as e përmendin. Nëse në këtë moment këta nuk janë duke zhvilluar takimin e “famshëm”…

Që në këtë moment shfaqet trishtimi.

Të tre kanë “ftuar” në tavolinën e përbashkët një temë që duket se nuk do të sjellë gjë. Tema është si të përgatitet në shtator një takim tjetër. Takimi tjetër do të ketë për temë: “Diskutimi mbi jehonën e votës për Brexit”. A nuk të kujton temën e disa workshop-eve që kryheshin me fondet e Europës, nëpër disa vende të reja post- diktatura, ku dikush nga “qendra” iu mëson vendasve ca “sjellje të  mira”?.. Bëhej Workshop-i,  merrnin paratë dhe iknin nga kishin  ardhur?! Jehona pas Brexit më duket një temë e vonuar edhe për një diskutim mes reporterëve të rinj. Ironike!

Ndërsa kryeministri i Italisë, Matteo Renzi shpalli një temë tjetër. Ky thotë se në shtator tre liderët do të takohen për të diskutuar “Si ta ringremë Europën që nga  fundi”.

Dëshpërimi i manifestuar nga tre liderët nuk ka fund. Kur këta të tre, si të thuash zemra e Europës, kanë ardhur në pikën që të deklarojnë se “do ta ngrenë Europën që nga fundi”, çfarë duhet të mendojmë ne- aspirantët për europianistë, ose edhe vetë europianistët?! Ne mund të mendojmë veç fundin. A jemi në fund?, vetë na thatë.  Natyrisht, me gojën e italianit mikpritës, tre liderët “që kanë mbetur” thanë se “Ringritja e Europës është një lojë krejtësisht e hapur, por që ka nevojë të luhet…”.  Atë ditë kur lojtarët thërrasin stadiumin të hyjë në fushën e lojës, kjo do të ishte dita e fundit…

Europa po manifeston trishtim. Liderët e tre vendeve më të fuqishme (siç u quajtën Gjermania, Franca e Italia) kur e deklarojnë trishtimin, nuk janë as të trishtuar! Sa herë kanë qenë të trishtuar burrat e mëdhenj të Europës, dhe, edhe përmes trishtimit kanë krijuar besim! Ata nuk janë më, as si ata. Këta të tanishëm e sjellin trishtimin sipas vetes së tyre. E njihni Renzin, lider që e krahasojnë me “Mr. Been”? Ja ky është ai modeli i liderëve që nuk mbajnë dot as peshën e trishtimit; modeli i këtyre liderëve që e bezdisin njeriun njësoj  si t’i hyjnë në lëkurë… Si këta qeverisësit që kemi këtu në Tiranë, si ai që u shfaq në Athinë, si këta në Maqedoni, si ata të “Podemos” në Spanjë, si Beppe Grillo në Itali…

Renzi i Italisë, kur po fliste për “takimin e shtatorit” mes liderëve që do të ngrenë “Titanikun”- Europë që nga fundi i Oqeanit, u merakos veç për një gjë. U merakos veç se ku do të mbahet takimi! Qejfi i tij është që të duket para italianëve si prijës i dy liderëve të tjerë, ose si lider i Francës e Gjermanisë plus Italinë. “Takimin e shtatorit e dua në Ventotene”- deklaroi Ranzi.

Ventotene është një ishull i vogël i Italisë, me rreth 700 banorë të përhershëm, një vend burgjesh i fashizmit. Tërë pesha e Europës do të mbahej në këtë copë Itali. Por tërë kuptimi i takimit të Europës, cili është, sipas Renzit?! Liderët  europianë të nderojnë burgun ku  ishte burgosur Altero Spinelli. Ja, kaq. Gjithë Europa -“Titanik” do të shpëtojë nga ky simbol. Spanelli është i njohur si një shkrimtar dhe europianist italian, por kjo stinë “tmerri” për Euroopën kur po tronditet nën dilemën “të jetë apo të mos jetë?”, çfarë peshoka më shumë?… simboli? Të shpëtohet Europa apo të fundoset?… Apo një hile alias “Renzi për të manifestuar autoritet  para italianëve ku ka humbur çdo mbështetje popullore!?

Të paktën të na vinte trishtimi i Europës siç trishtoheshin burrat e mëdhenj të shtetit! Të paktën kaq.

Ku shkojmë ne “aspirantët” shqiptarë që nuk kemi ndonjë shpresë tjetër veç Europës?! Këta qeverisësit tanë që janë shumëfish më të vegjël e më qesharakë se Renzi, vallë ku na mbysin? Ne shpresojmë se “kemi Europën”, por Europën ja kush e ka! Kjo që po ndodh sot në Napoli (ishulli pa emër përballë) dhe nesër në Ventotene, do të na japë trishtimin e pashërueshëm. Skenat, inskenimet, pikturat, spektaklet, fasadat, ngrefosjet në facebook…,frymëzojnë të keqen që ndodhet mes nesh

Që këtej po  formatohen “udhëheqësit pa popuj”. “Pa popuj” si këtu mes nesh, ashtu edhe rreth nesh. Nesër këta tanët do të mburren se njësoj si  bunkerët e Enverit, Europa përdor burgjet në Ventotene! Nesër do të thonë se “nuk pyesim për Europën”; “zonja Merkel i dha fund zgjerimit”.  Kancelarja Merkel para takimit të sotëm tha se nuk kemi qëllim: “më shumë Europë”, por “Europë më të mirë”. Këta tanët do të thonë se “Europa u mbyll tani, nuk ka vend për ne”. Këta do ta kuptojnë shpejt se ne jemi “jetimë”; Europa nuk është më! Kur u ndamë nga diktatura komuniste, edhe pse nuk kishim liri as bukë, kishim shpresë te Europa. Atëherë liderët shnjerëzorë i trembeshin edhe emrit Europë…

Tani ku shkojmë ne? … Dikush mund të thotë kështu: “Ç’ke more që ua thua se Europa është në trishtim e qesharake?… Këta marrin zemër prej kësaj e na çojnë në ferr!”.

Por kjo kështu është tashmë. Po të mos kishte filluar rënia e Europës, këta nuk do të kishin ngritur fuqinë e vjedhjes, të trafiqeve,  të blerjes së votës, të drogës dhe dhunës. Liderët perversë e nuhasin kur dobësohet Perëndimi. / Veritas.com.al/