Ambasadorja amerikane në Tiranë në një postim në rrjete sociale shprehet se i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama një letër nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Mes të tjerash, diplomatja amerikane thotë se Trump e ka falënderuar për udhëheqjen e Shqipërisë në Ballkan dhe në Evropë.

“Pata nderin t’ia dorëzoja Kryeministrit Edi Rama një letër nga Presidentit Donald Trump duke falënderuar udhëheqjen në Ballkan dhe Evropë; refuzimi i praktikave abuzive të Kinës; dhe mbështetjen e normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës si dhe Marrëveshjen e Abrahamit. #KrahPerKrah”, shkruan Kim.

Më herët, kryeministri Edi Rama publikoi letrën e dërguar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë. Në letër, Trump falenderon Ramën për mbështetjen që Shqipëria jep për krijimin e rrjeteve të sigurta të telekomunikacionit duke e cilësuar një shembull të fortë në rajon.

Ndër të tjera ai thekson se shpreson që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria së shpejti të nënshkruajnë një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, një marrëveshje që i hap rrugën vendeve të tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë.

Trump në letrën e tij dërguar Ramës i ka kërkuar atij që të dalë nga nisma e Kinës 17 + 1.