Në dosjen e plotë të vendimit të Prokurorisë për ndalimin e lëvizjes së Tahirit jashtë vendit mungonin dy fletë që me sa duket ishin fshehur qëllimisht.

Në to ndodhet edhe ‘sekreti’ i lidhjeve të afërta të ministrit Tahiri me biznesmenin Sota, në makinën e të cilit u gjetën 863 mijë euro- të prezumuara si pronë e Tahirit.

Ministri Saimir Tahiri ka dalë jashtë vendit me makinën   e Sotës, me targë AA 101 D, ashtu sikurse edhe Sota ka përdorur makinat e Ministrisë së Brendshme.

Në faqen 9 të munguar deri tani, thuhet se më 24 shkurt 2017, në ora 08.05 qytetari Orest Sota ka kaluar kufirin shtetëror në Muriqan me makinën me targe MB 279 AA, në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Me këtë makinë ka disa hyrje- dalje jashtë vendit shtetasi Gentian Ceka, shofer i ministrit Saimir Tahiri.

Sipas të dhënave nga lëvizjet e ministrit Tahiri jashtë vendit, del se ai e kishte kthyer në praktikë udhëtimin me makina të ndryshme private, duke i ndryshuar ato nga një udhëtim në tjetrin.

Ai ka përdorur edhe makinën e  një personi nga Elbasani që më në fund konstatohet se nuk ka lidhje me familjen Çapaj që dyshohet për disa krime. Por në Elbasan është zbuluar një grup kriminal i lidhur edhe me Policinë e shtetit.

Veritas.com.al/