“Protesta e qindra qytetarëve të Kukësit, të cilëve u janë bashkuar dhe të tjerë nga Kosova, kundër vendosjes së taksës për kalimin në Rrugën e Kombit, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, është kthyer në një përleshje të dhunshme me policinë ndërsa u është vënë flaka sporteleve të sapongritura për pagesën e taksës.

Manifestimi nisi i qetë ndërsa një kordon i forcave të policisë ishte vendosur përballë protestuesve për të penguar avancimin e tyre drejt sporteleve.

Situata është acaruar ndërsa drejt kabinave të ngritura për pagesën e taksës nisën të fluturonin gurë e sende të forta, të cilat prekën edhe forcat e Rendit. Këto të fundit u përgjigjën me shkopinj gome, për të sprapsur protestuesit të cilët mundën të përparonin, duke i vënë më pas flakën sporteleve.

Mësohet se nga përplasjet e dhunshme ka patur të plagosur si nga radhët e policisë ashtu dhe të vetë protestuesve, ndërsa bllokimi i rrugës ka sjellë radhë kilometrike të automjeteve që prisnin të kalonin.

Vendosja e taksës e cila fillon nga 2.5 euro për motorrët deri në 22.5 euro për mjetet e rëndë, u aplikua nga kompania private e cila ka fituar të drejtën e mirëmbajtjes së rrugës, por ajo është kundërshtuar me forcë nga qytetarët por dhe bizneset që veprojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës”, raporton VOA.

Veritas.com.al/