Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të premten e 14 janarit ka deklaruar se disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (GJK) për shqyrtimin e çështjes së zgjedhjeve vendore, kanë kryer shkelje “të rënda”, profesionale dhe etike gjatë ushtrimit të mandatit.

Sipas tij, ka pasur “shkelje të ligjit”, që lidhen me mënyrën e caktimit të relatorit të çështjes.

“Nuk rezulton të jetë hedhur shorti për përcaktimin e relatorit të çështjes”, tha presidenti në një deklaratë për media, duke hedhur kështu “dyshime” se, “ose relatori e ka kërkuar vetë këtë dosje, ose atij i është caktuar kjo dosje pa short”.

Shkelje ka pasur dhe në formulimin e pyetjeve, sipas deklaratës së Metës, pasi “nuk rezulton asnjë procesverbal i mbajtur për mënyrën sesi u formuluan pyetjet e GJK-së”, për në Komisionin e Venecias.

Ai tha se i ka kërkuar më herët GJK-së dosjen e plotë gjyqësore me fazat që janë ndjekur gjatë shqyrtimit të çështjes, që lidhen me zgjedhjet vendore të 30 qershorit të 2019-ës.

Për këtë, Meta tha se “kam filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate”.

“Kam kërkuar informacion për faktin se kush janë ato bashki në të cilat gjatë kësaj periudhe, sipas informacionit dhe vlerësimit, kryetarëve të bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”, u shpreh Meta.

Ai i ka dërguar dhe një shkresë zyrtare Komisionerit qendror të zgjedhjeve lidhur me këtë çështje.

Pse iu drejtua Venecias, Kushtetuesja?

Gjykata Kushtetuese ka shpjeguar vendimin e saj për të kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias, lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019.

Organi më i lartë juridik në vend, përmes një komunikate për media, ka lënë të kuptohet se ka vendosur ta sqarojë situatën, pasi ka parë “keqinterpretime dhe keqinformim” të opinionit publik lidhur këtë çështje.

“Gjykata, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë”.

Sipas Kushtetueses, ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi.

“Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë”.

Në njoftim u theksua se ky është rasti i vetëm i përdorimit të këtij instrumenti, meqë vlerëson se “çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara” është konsideruar të jetë i nevojshëm.

Gjykata konstaton se “debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike”.

Seanca e 23 qershorit 2021

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim të mërkurën e 23 qershorit, kërkesën e Shoqatës së Bashkive për shfuqizimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe ripërsëritjen e tyre.

Në nisje të seancës, Këshilli i Ministrave kërkoi pezullimin e procesit, derisa në Gjykatën e Tiranës të zgjidhej konflikti i lindur mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut, për kryesimin e shoqatës, si dhe njëherazi që pjesë e procesit të ishte edhe Shoqata për Autonomi vendore.

Të dyja kërkesat u rrëzuan nga shtatë gjyqtarët kushtetues.

Në vijim, seanca plenare u ndërpre për një orë, duke u dhënë mundësinë palëve për t’u njohur me dokumentet.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.