Familja e Ervis Martinajt ka kallëzuar humbjen e kontakteve me të shumëkërkuarin nga Policia e Shtetit, pasi prej tre ditësh nuk kanë pasur asnjë shenjë prej tij.

Ka qenë xhaxhai i 40-vjeçarit, Faik Martinaj, ai i cili ka kryer kallëzimin në Policinë e Kurbinit.

Martinaj është një prej njerëzve më të kërkuar në Shqipëri, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka rrëfyer për hetuesit se Martinaj ka qenë pjesë e disa prej atentateve më me zë në Shqipëri.

 

Ky lajm vjen disa javë pas vrasjes së Brilant Martinajt, një prej familjarëve të afërt të Ervis Martinajt.

 

Brilanti u vra së bashku me dy shtetas të tjerë në një atentat të mirëmenduar në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku autorët ende nuk janë kapur.

Në këto kushte, dyshime të forta ngrihen se Martinajn mund ta kenë rrëmbyer apo t’i ketë ndodhur diçka.