Vendimi i Kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar zëvendësministrin e Brendshëm, Ilir Marko, ka mbetur pezull, pa marrë fuqi ligjore.

Ilir Marko u shkarkua të enjten nga kryeministri për shkak se u konfliktua me mesazhe me Saimir Tahirin. Fillimisht, LSI-ja ka denoncuar me emra konkretë rastet e blerjes së votave në qarkun e Tiranës, duke akuzuar se, pas këtyre veprimeve antiligjore, ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ilir Marko mbetet sërish në detyrë si zv.ministër i Brendshëm, edhe pse është shpallur “i shkarkuar” nga kreu i qeverisë. Kryeministri  Edi Rama ka firmosur dy ditë më parë një urdhër qarkullues për të gjithë ministrat, në të cilin kërkon shkarkimin të zv.ministrit të emëruar nga LSI-ja; por 11 ministra nuk e kanë firmosur.

Urdhëri qarkullues është firmosur nga 9 ministrat e Partisë Socialiste dhe nga  vetë Rama, kurse pjesa tjetër e kabinetit qeveritar nuk e ka firmosur. As ministrat teknikë të Partisë Demokratike dhe as katër ministrat e mbetur të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Mediat po flasin për një “aleancë të fshehtë PD-LSI” që ka bllokuar vendimet e kryeministrit nga vetë ministrat e tij.

Veritas.com.al/