Obama kërcënon me veto – Kongresi amerikan miraton ligjin që u lejon viktimave të 11 shtatorit të hedhin në gjyq vende si Arabia Saudite

 

Familjet dhe të afërmit e viktimave të atentateve të 11 shtatorit, morën, të premten 9 shator 2016, dritën jeshile nga Kongresi amerikan për të hedhur në gjyq vende të huaja të dyshuara për mbështetje të sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ligji, i kundërshtuar nga Arabia Saudite, e akuzuar vazhdimisht në Perëndim, se ka financuar lëvizjet ekstremiste dhe ka favorizuar përhapjen e salafizmit (lëvizja politiko-fetare qe revendikon kthimin në islamin e origjinës) në botën arabe, duhet të ratifikohet nga presidenti amerikan. “Justice Against Sponsors of Terrorism Act” u miratua të premten me unanimitet nga Dhoma e përfaqësuesve, katër muaj pas miratimit nga asambleja e senatorëve.

Pesëmbëdhjetë nga 19 terroristët që kryen atentatet e 11 shtatorit, 15-vjetori i të cilit përkujtohet sot, ishin shtetas sauditë. Ky ligj u lejon familjeve dhe të afërmëve të viktimave të atentateve të hedhin në gjyq, konkretisht, mbretërinë wahhabite për të marrë dëmshpërblime, nëse përgjegjësia e saj do të provohet. Por asnjë implikim i Riadit nuk është vërtetuar ndonjëherë deri tani.

Dyshimet për një implikim të Arabisë Saudite në sulmet ndaj SHBA-së 15 vjet më parë, nuk janë konfirmuar kurrë me prova të pakundërtueshme, kishin konkluduar hetuesit në faqet e censuruara të një raporti të Kongresit në vitin 2002, dhe i botuar në korrik. Sipas  New York Times, ministry saudian i Punëve të jashtme, Adel al-Jubeir, kish paralajmëruar të zgjedhurit në Uashington për raprezalje të mundshme nëse ky projektligj miratohej, konkretisht shitjen e 750 miliard dollarëve në bono të Thesarit amerikan dhe aktive të tjera si dhe me sekuestro të pasurive të SHBA.

 

Drejt një veto presidenciale?

Presidenti Obama, i cili qe shprehur sakaq kundër kësaj mase sepse ajo bie ndesh me parimin e imunitetit që mbron shtetet nga paditë civile apo penale ka mundësi megjithatë të refuzojë ta ratifikojë këtë projektligj. “Ky ligj do të ndryshonte të drejtën ndërkombëtare në lidhje me imunitetin e shteteve. Dhe presidenti amerikan vijon t’i druhet faktit se ky ligj do t’i bënte Shtet e Bashkuara vulnerabile në sisteme të tjera juridike kudo në botë”, ka shpjeguar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, pas miratimit në Senat të këtij ligji.

Ai ka shpjeguar se Shtetet e Bashkuara  duke qenë se janë të angazhuara jashtë vendit më shumë se “çdo shtet tjetër në botë“, konkretisht në operacione për ruajtjen e paqes dhe ato humanitare, vënia në pikëpyetje e këtij parimi do të rrezikonte të vinte në rrezik shumë amerikanë, si edhe aleatë të tyre.

Por miratimi i ligjit nga të dyja dhomat e kontrolluara nga republicanët, lë të mendohet se edhe vetoja e presidentit mund të revokohet nga të zgjedhurit, që janë mesatarisht në raportin e dy të tretave kundër. Nëse senatorët dhe përfaqësuesit do të arrinin të kundërshtojnë veton presidenciale, kjo do të ishte goditja e parë e rëndë kundër Obamës. “Ne duhet ta luftojmë terrorizmin me të gjitha mjetet që disponojmë”,  mbrohet senatori republican John Cornyn, iniciatori i këtij ligji.

Nga ana tjtetër, përfaqësuesi demokrat i Teksasit, Lloyd Doggett, e akuzoi të premten drejtëpërdrejt Riadin. “Kur shihni një islam radikal, ky ekstremizëm I ka rrënjët tek disa predikues të urrejtjes që vijnë nga Arabia Saudite”, ka shpjeguar ai, duke shtuar: “Mbretëria (saudite) i ka duart me gjak. A është gjaku i viktimave të 11shtatorit? Mbase.” Zacarias Moussaoui, francezi i dënuar në kuadër të atentateve të 11 shtatorit i cilësuar si “pirati i 20-të i ajrit”, u ka vërtetuar avokatëve amerikanë se anëtarë të familjes mbretërore saudite kishin derdhur miliona dollarë për Al-Qaïda-n në vitet 1990. Një deklaratë e hedhur poshtë menjëherë nga ambasada e Arabisë Saudite në SHBA.

 

Sipas AFP