Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Pogradec në kuadër të fushatës elektorale të 14 Majit, ku theksoi se është në proces një projekt i madh me vlerë rreth 15 milionë euro për të gjithë zonën e Drilonit. Ai shtoi se edhe një tjetër projekt është gati dhe ka të bëjë me ndërtimin e një shëtitoreje pranë liqenit.

Sipas kreut të qeverisë, kjo shëtitore do ta transformojë tërësisht qytetin ashtu sikurse edhe Lungomarja në Vlorë. Ndërkaq, kryeministri përmendi gjithashtu edhe zonën e Mokrës dhe Gorës, që sipas të cilit qeveria është ende në borxh, pasi ka shumë punë dhe investime për të bërë.

“Ne kemi në proces një projekt të madh, rreth 15 milionë euro që është në kantier në të gjithë zonën e Drilonit, projektin tjetër qe është në fazën përmbyllëse të kontratës për shëtitoren e liqenit të Pogradecit, një projekt që do ta transformojë qytetin njësoj si Lungomarja transformoi qytetin e Vlorës.

Kemi një sërë projektesh të tjera që përfshijnë pjesëza të qytetit. Di që jemi akoma një borxh për të shlyer ndaj zonës së Mokrës dhe Gorës, ku ka potencial për zhvillimin e turizmit dhe ku mungon infrastruktura e nevojshme për t’i dhënë një hov turizmit dhe ekonomisë së zonës“, tha Rama