Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar pas protestës së sotme të Partisë Demokratike, e cila sipas saj kaloi në dhunë ndaj Policisë së Shtetit.

Nga ambientet e QSUT ku po trajtohen efektivët e lënduar, Koçiu bëri me dije se aktualisht 16 punonjës policie po marrin trajtim mjekësor, ndërsa priten edhe referime të tjera.

Ajo theksoi se kjo është hera e dytë që ndodhin akte të tilla dhe se drejtuesi i protestës, Sali Berisha, është sipas saj i vetmi që mund të organizojë protesta kaq të dhunshme.

Koçiu bëri të ditur se ka kërkuar që të gjithë personat që u bënë pjesë e dhunës të vendosen para përgjegjësisë ligjore. Sipas saj, qëllimi i protestës ishte goditja e punonjësve të policisë, ndërsa edhe punonjës të medias kanë pësuar lëndime si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë protestës.

“Jam këtu për të parë efektivë që po marrin trajtim mjekësor. Protesta e  sotme, e cila është një e drejtë kushtetuese, kaloi në një protestë e paprecedentë, në një dhunë barbare ndaj policisë së shtetit. Është hera e dytë dhe drejtuesi i kësaj proteste, Sali Berisha, është i vetmi që mund të organizojë protesta të dhunshme.

Kam kërkuar që vendosën para përgjegjësisë të gjitha ata që sot u bënë pjesë e një dhune barbare. Qëllimi i sotëm i protestës, ishte të godisnin punonjësit e policisë. Edhe gazetarët kanë pësuar lëndime, nga dhuna që ushtrohet nga protesta. Janë 16 punonjës që po marrin trajtim, dhe ndërkohë presim të kemi dhe referime të tjera.”, tha Koçiu.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *