Frrok Çupi/

Ka një koincidencë thuajse “fatale” mes datës 18 shkurt 2017 dhe 18 Brymerit të Luis- Napoleon Bonapartit- 1851. Fatale sepse ende nuk dimë nëse edhe data 18, e shtunë, kur është njoftuar një protestë mbarë kombëtare kundër qeverisë, do të hyjë vallë në radhën historike të 18 Brymerit!? 18 Brymeri, që angazhoi edhe vetë Marksin e këtyre të majtëve si teoricien, e ndau epokën në dy pjesë: Në atë që ishte dhe në atë që krijoi Bonaparti pas Revolucionit.

Edhe vetë Marksi në librin e tij “18 Brymeri…”, nuk mundi ta mohojë se “kishte ardhur koha” për atë thyerje të fuqishme. Siç erdhi koha  këtë vit “jubile” që evokon shumë data biblike me numrin “..17”.

Këtë vit, 2017, ndodhi dhe po ndodh ndryshimi i rendit botëror. Fuqi shumë të mëdha popullore në Perëndim, sidomos në Amerikë, Angli, Francë, Hollandë, etj., e kanë kundërshtuar rendin 70 vjeçar të vjetruar dhe të pa dobi; në botë po ngrihet rendi i ri. “Ndodh çfarë ndodh në vitin 29017, një gjë ka ndodhur- tha kryeministri që po vjen në Hollandë, Firebrabd Wilders.- Xhindët populistë (të ndryshimit) dolën nga shishja dhe nuk kthehen më”- tha ai.

Kur u krijua konotacioni mes 18 shkurtit, (të shtunën e protestës madhore- siç është paralajmëruar) dhe18 Brymerit të thyerjes së epokës; dhe vitit … 17- kur po ndodh ndryshimi radikal i rendit; atëherë pyetja shtrohet për “të zonë” e protestës së të shtunës në Tiranë. Pyetja shtrohet: A e ka edhe protesta juaj të njëjtën agjendë që ka qytetërimi perëndimor për të ndryshuar rendin? Domethënë a është Shqipëria në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin mendim me mendjen e qytetërimit të përparuar? Pyetja bëhet aq më tepër se shumë shpesh kemi qortuar veten duke thënë se “ne u vonuam” atë vit; “ne u vonuam” atë shekull; se “ne vonohemi e kjo është e keqja”. Në fakt, me gjithë dëshirën për ta përkëdhelur veten dhe cilësitë e larta të kombit, kjo na ka ndodhur.  Aty pas Luftës së Parë botërore, letërsia historike e Perëndimit na e kishte quajtur Shqipërinë “black hole”, nga ku nuk i shkonte asnjë tingull dhe asnjë ngjyrë.

Domethënë përsëri pyetje për Opozitën që i ka dalë për zot Ndryshimit: Vallë e ka përnjëmend se do të bëjë ndryshim? Ndryshimi do të thotë që pasi të mbushin sheshin e Tiranës me qytetarë protestues, kur të kthehen për në shtëpi -atje t’i presin fëmijët me lajmin se “në televizion pamë qeveri të re”. Të paktën atë që po bëjnë qytetarët e Rumanisë; ata nuk po shkojnë në shtëpi derisa fëmijët të kenë marrë lajmin për qeverinë tjetër. Këtu nuk është aq ftohtë sa në Rumani; atje është temperatura minus 10 gradë, ndërsa këtu në mesnatë nuk shkon as në zero. Domethënë rrihet në shesh edhe për një dasmë, e jo më për një ndryshim madhor të jetës.

Sepse këtu ka nevojë për një ndryshim shumë të madh; njësoj si për shembull në vitin 1991. Opozita Demokratike (që tani duhet të ndërrojë emër mbasi “demokratët” u futën në radhën e elitave liberale stanjacioniste të moçalit), atëherë nuk shkoi në sheshe me udhëheqës të gatshëm. Po kësaj here, Opozita a do t’i thotë popullit protestues se udhëheqësit tanë “do të dalin nga protesta” që do të bëjë ndryshimin?!

Këtu ka shumë nevojë për ndryshim:

Duhet të bëhen njerëzit që të jetojnë si njerëz dhe jo si krimba, as si dele, as si të mashtruar. Duhet të bëhen njerëzit të aftë që të ushqejnë vetën, fëmijët dhe familjen; këtu varfëria është e tmerrshme. Duhet të dekriminalizohen Kuvendi, qeveria, Drejtësia e deri te pastruesi i Bashkisë; sepse e kanë helmuar shoqërinë. Duhet të mos e mbjellim vendin me drogë se po vrasin njëri tjetrin dhe po tmerrojnë Europën. Duhet që zyrtarët e lartë që kanë vjedhur fondet e publikut t’i kthejnë menjëherë paratë te publiku dhe qeveria e re t’i menaxhojë; s’ka nevojë për burgje. Duhet që qeveria të mos telendisë qytetarët e vet…

A e ka përnjëmend Opozita që më 18 Shkurt do të bëjë ndryshimin?… Se ndryshe, në vend që “xhindët” t’i nxjerrë nga shishja, i mbyt për gjithmonë.

Tani është koha për t’u radhitur me Kohën. Ka nisur ndryshimi, ose “grushti i shtetit” sipas 18 Brymerit të Bonapartit. Shikoni:

Në Amerikë zgjedhja e Presidentit Donald Trump për ta bërë “Amerikën përsëri të madhe” i ka dhënë njerëzimit guximin që të ndryshojë shumicën e atyre “rrobave” të vjetra që ia kishte veshur koha. Me Trump dhe Brexit është thyer globalizmi, mungesa e identitetit, koha kur në Danimarkë nuk ka danez dhe në Paris nuk ka francez. Institucionet globale, në shumicën e tyre, po bien sepse nuk kanë dobi; përkundrazi. Terrorizmi i frikshëm 24 orë në 7 ditë në javë, duhet të bjerë.

Ja ky është rendi që thuhet “të bëhet i ri”. Po 18 shkurti, vallë çfarë pritet të bëjë?

Tani po dndryshon kudo; vetëm ne të mbetemi “të vonuar”? Ndoshta kjo është pyetja ndaj Opozitës për të shtunën, 18! … Në Europë, vetë presidenti i Unionit, Junker, më datë 11 shkurt tha se nuk kandidon më; ku ta dish nëse do të ketë më BE- tha. “Nuk dihet për 27 anëtarët e tjerë- tha ai- por Britanikët nuk janë më këtu”. Pastaj tha se edhe francezët do të jenë me Marine Le Pen; edhe polakët duan të njëjtën gjë si britanikët; edhe Hungarezët, edhe Gjermanët, edhe holandezët…

Popujt janë harruar dhe tradhtuar nga elitat politike liberale.

Ndryshimi është shumë i madh. A ka menduar opozita e datës 18 për këtë gjë? Në qoftë se jo, atëherë “xhindët” nuk dalin, por mbyten në shishe.

18 Brymeri dhe 18 shkurti kanë një lidhje çudibërëse, jo thjesht të thyerjes së epokës. Por se në të dyja rastet janë përballur të majtët e të tjerët në mënyrë spektakolare. (Të tjerët janë gjithë popujt që e duan rendin e ri). Lideri i majtistëve, Karl Marks shkroi një libër të trashë për ta analizuar “grushtin”; por ndryshimi u bë në të gjitha epokat kur vetë popujt kërkuan ndryshim. Kush pyet kur është nevoja për ndryshim. Tani është viti kapilar.

/Veritas.com.al/