“Këto marrëveshje sot, janë realitet i prekshëm nesër dhe jo në të ardhmen, por me hyrjen e vitit të ri 2022”.
Efekti i parë i nismës rajonale “Open Balkan” do të ndihet menjëherë me hyrjen e vitit të ri 2022, me dy ndër marrëveshjet më jetësore të iniciativës, atë të tregut të lirë të punës dhe të tregtisë së lirë të mallrave – mbi të gjitha ato bujqësore dhe blegtorale.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si mikpritësi i samitit të radhës në Tiranë, ka marrë i pari fjalën në foltoren trepalëshe, ku të pranishëm janë edhe presidenti i Serbisë, Alexandar Vuçiç, si edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Sipas Ramës, nisma është shumë e qartë: Ta bëjmë rajonin për qytetarët, si ai i Bashkimit Evropian, me katër liritë themelore.
Nga janari 2022, tri marrëveshje direkte do të marrin efekt të plotë.
Tregu i lirë i punës është i pari. Me anë të këtij vendimi, qytetarët nga të tre vendet, do të mund të kenë akses të barabartë për leje pune dhe qëndrimi në të tre vendet.
Ndërsa, për sa u përket dokumentacioneve, nuk do të jetë më e nevojshme të shkohet në shtetin fqinj për të aplikuar. Ai mund të bëhet në mënyrë digjitale, online.
Marrëveshja e dytë lidhet me tregun e hapur të import-eksporteve. Eksporti i prodhimeve blegtorale, edhe i gjësë së gjallë, mund të jetë faktik për të tre vendet tashmë, për herë të parë.
Midis tre shteteve do të ketë reciprocitet në sistemin doganor dhe atë dokumentues. Ky, për Ramën, është një lajm i shumëpritur për të gjithë ata, të cilët merren me blegtori.
Marrëveshja e tretë lidhet me sistemin e integruar elektronik të shërbimeve. Ky do të jetë një sistem, i cili do të mundësojë zbatimin e çdo marrëveshjeje, duke unifikuar dokumentacionin përkatës për çdo veprim, apo shërbim që duan të ndërmarrin qytetarët.
E gjithë kjo, është arritur falë një pune intensive në atë çfarë parashtroi kryeministri.
Ndërsa, takimin e radhës për “Open Balkan”, ai e paralajmëroi se do të zhvillohet në Shkup, në fund të muajit shkurt 2022.