3 vajza janë arrestuar nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Në kërkim është shpallur organizatori. Këta shtetas dhunuan dhe shfrytëzuan për prostitucion një 24 vjeçare për dy muaj në banesa me qira dhe hotele të ndryshme në Fierit. Në pranga kanë rënë: Pranvera Isufaj, 32 vjeçe, Aleksandra Toska, 19 vjeçe dhe një 17 vjeçare.

32-vjeçarja ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Arbër Mehmeti, 33 vjeç, i cili është shpallur në kërkim rezulton i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë, njofton policia.

Njoftim i Policisë:

Fier/Finalizohet si rezultat i një hetimi proaktiv, operacioni policor i koduar “Imponimi”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

Dhunuan dhe i hoqën lirinë një 24-vjeçareje, si dhe e shfrytëzuan atë për 2 muaj, për prostitucion, kapen dhe arrestohen 3 shtetase.

Shpallet në kërkim organizatori i veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit, i cili bashkëpunoi me 3 të arrestuarat për t’i hequr lirinë 24-vjeçares dhe për ta imponuar atë, për prostitucion.

Organizatori dhe njëra nga të arrestuarat , me precedent penal të mëparshëm.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas po shfrytëzonin një 24-vjeçare për prostitucion, kanë referuar materialet në Prokurorinë e Fierit, e cila regjistroi një procedim penal për këtë rast.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi proaktiv dymujor, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Imponimi”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, i shtetaseve:

-P. I., 32 vjeçe, banuese në Patos, A. T., 19 vjeçe, banuese në Fier dhe i një 17-vjeçareje banuese në Fier. 32-vjeçarja ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. M., 33 vjeç, banues në Fier, organizator i kësaj veprimtarie kriminale (i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë).

33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetaset e ndaluara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, në banesa me qira dhe hotele të ndryshme në qytetin e Fierit.

Vijon puna për kapjen dhe vënien para drejtësisë të 33-vjeçarit, organizator i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.