Nga Fushë Kruja, kryesocialisti Rama akuzoi Bashën se po bën fushatë me drejtorë policie që dikur shisnin operacionet te banditët e vrisnin pas shpine oficerët e policisë e tani të njëjtët njerëz mezi presin të kthehen. Rama tha se presidenti Meta sillet si diversant e shkon i maskuar me kapuç te Gjiri i Lalzit, ndërkohë që akuzon socialistët si fuksa.

Nga Fushë-Kruja, një prej bashkive më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s, Rama tha me krenari se ajo periudhë tregoi se ç’karakter ka kjo mazhorancë.

“Përmasa e njeriut nuk matet kur gjithçka shkon fjollë, por masa e njeriut matet në ditë të vështira. Masa e njeriut matet kur dridhet toka. Aty ne provuam se çfarë karakteri kemi, se me çfarë materiali jemi bërë dhe çfarë mund të bëjmë të gjithë së bashku.  Në Fushë-Krujë dhe në Thumanë po merr jetë çdo ditë shëmbëlltyra e zemrës sonë, e zemrës sonë që rreh bashkë me zemrën e të gjithë shqiptarëve.  Fëmijët e Thumanës dhe ato të Fushë-Krujës do të rriten krejt ndryshe nga siç u rritën prindërit e tyre.  Ata fëmijë sot do ta dalin nga shtëpia dhe nuk do të kenë më këpucët me baltë kur të shkojnë në shkollë”, tha Rama.

Rama theksoi se pas një periudhe të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët ka dritë. 

“Ju i ndjetë më shumë se të tjerët lëkundjet e frikshme të tërmetit. Për ditë të tëra ju i ndjetë pasiguritë. Por pavarësisht vështirësive në rezistuam. Ne provuam që përmasa e njeriut nuk matet në ditë të mira, por matet aty ku toka dridhet nën këmbë dhe kur ndeshet me forcën e një kundërshtie të madhe. Aty ne provuam se çfarë karakteri ne kemi dhe se çfarë mund të bëjmë së bashku përballë çdo të keqeje”, tha Rama. 

( Lajm në përditësim… )