Gazeta e njohur greke “Ta Nea” shkruan për të kaluarën e errët të kandidatit të Mitsotakis Fredi Beleri për eurodeputet në zgjedhjet e 9 qershorit. Bëhet fjalë ngjarjen e 19 marsit të vitit 1995 ku Fredi Beleri, bashkë me 6 persona të tjerë u arrestuan pranë kufirit me Shqipërinë.
Në bagazhet e dy makinave të tyre ata mbanin 9 kallashnikovë, dy pistoleta, bajoneta, radio, uniforma kamuflazhi dhe kapuç. Ta Nea sjell në vëmendje faktin se kjo ngjarje mori përmasa të mëdha në shtypin grek të kohës ku shkruhej se një grup paramilitarësh do të sulmonin shtetin fqinj. Kjo histori e vjetër, ishte harruar ndoshta për shumicën e opinionit grek, por që në mediat e vendit fqinj u rikthye në lajm pas ankesës së ish-ministrit të Arsimit, Nikos Fili, i cili i kërkoi publikisht pak ditë më parë kryeministrit Kiriakos Mitsotaqis që të përjashtojnë kadidaturën e Fredi Belerit nga lista e kandidatëve të tij për eurodeput të propozuar nga Demokracia e Re.
Më tej në artikull theksohet se arrestimi i 7 personave, mes të cilëve edhe Fredi Beleri, u dha alarmin autoriteteve greke të kohës, pasi një vit më parë persona të panjohur kishin hyrë nga Greqia në Shqipëri dhe kishin vrarë dy ushtarë shqiptarë në repartin ushtarak të Peshkëpisë në Gjirokastër.