Nga Ardit Rada

Ka diçka që nuk shkon në debatin e ditëve të fundit për Aeroportin e Vlorës. Jo domosdoshmërisht te kontratat, afatet apo paratë, për të cilat në fund do të flasin juristët dhe dokumentet. Por te mënyra se si po sillen dy palët.

Nga njëra anë kemi Behgjet Pacollin dhe MABCO-n, që flasin shumë. Akuza, deklarata, intervista dhe kërkesa për përgjigje. Nga ana tjetër kemi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila pothuajse nuk flet fare. Dhe e gjitha kjo ndodh ndërkohë që mosmarrëveshja është nisur drejt arbitrazhit.

Atëherë pyetja është se nëse çështjen do ta zgjidhin “arbitrat”, përse Pacolli ka kaq shumë nevojë që debati të vazhdojë në publik? Ndoshta përgjigjja duhet kërkuar pikërisht te heshtja e Tiranës. Mesa duket, Qeveria këtë herë ka zgjedhur të mos e zhvillojë betejën në televizion. Të mos i përgjigjet çdo deklarate me një deklaratë tjetër dhe çdo akuze me një kundërakuzë. Me gjasë, jo sepse nuk ka çfarë të thotë, por sepse në një konflikt që po shkon drejt arbitrazhit ndërkombëtar dhe ndonjëherë ajo që nuk thua publikisht mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo që ke në dosje. Dhe Shqipëria ka një precedent që nuk mund të harrohet kaq lehtë: çështjen e Francesco Beçhetti.

Në atë histori, deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama u përdorën nga pala tjetër si pjesë e argumenteve për të paraqitur konfliktin jo thjesht si një mosmarrëveshje biznesi, por si një përplasje ku investitori pretendonte se ishte vënë në shënjestër nga pushteti dhe madje persekutohej pikërisht për emrin dhe kompaninë që kishte. Ky mesa duket është një mësim që kushton shumë për t’u harruar sot kur Shqipëria ndodhet sërish para abritrazhit. Koha ka treguar pra se në arbitrazh nuk shkojnë vetëm kontratat. Shkojnë shkresat, emailet, vendimet, deklaratat dhe çdo element që mund të ndihmojë njërën palë të ndërtojë historinë e saj. Prandaj sot një ministër që del dhe e akuzon publikisht Pacollin mund të bëjë një titull të mirë lajmi, por një shërbim shumë të keq dhe me kosto të larta për shtetin që përfaqëson.

Në këtë kuptim, heshtja e qeverisë mund të mos jetë dobësi. Mund të jetë strategji. Por pikërisht këtu lind dyshimi tjetër: Pse duhet të jetë Behgjet Pacolli duket kaq i interesuar ta thyejë këtë heshtje? Nëse MABCO është e bindur se është pala e dëmtuar, nëse dokumentet janë të qarta dhe nëse kontrata është në favor të saj, atëherë rruga është e hapur: Arbitrazhi.

Atje nuk ka rëndësi kush dha më shumë intervista në Tiranë apo Prishtinë. Ka rëndësi kush ka respektuar kontratën dhe kush jo. Për këtë arsye, insistimi për ta mbajtur konfliktin politikisht dhe mediatikisht të ndezur ngre një pikëpyetje të natyrshme: Mos vallë pala tjetër kërkon pikërisht një reagim të qeverisë shqiptare? Apo më saktë, po kërkon një ministër që humbet durimin. Një akuzë nga MIE. Ndoshta edhe një fjali nga vetë Rama…

Sepse pastaj loja ndryshon! Nga një konflikt mbi detyrimet kontraktuale mund të fillojë të ndërtohet narrativa e konfliktit mes shtetit dhe investitorit. Dhe aty një deklaratë politike, sado e parëndësishme të duket sot në Tiranë, nesër mund të përfundojë e përkthyer në anglisht në dosjen e arbitrazhit.

Kjo është arsyeja pse qeveria bën mirë që nuk hyn në këtë lojë, duke na shmangur me shpresë një faturë të majme dhe qyl për Pacollin. Nëse ka argumente, ato duhen ruajtur për tryezën ku do të vendoset çështja. Nëse ka dokumente, ato duhet të flasin aty ku kanë peshë juridike. Dhe nëse pala tjetër kërkon një debat publik, shteti nuk ka asnjë detyrim t’ia ofrojë.

Madje, këtu raporti bëhet interesant sepse sa më shumë hesht qeveria, aq më shumë flet Pacolli. Dhe sa më shumë Pacolli kërkon një kundërshtar përballë kamerave, aq më shumë lind pyetja nëse problemi i tij është vërtet heshtja e Ministrisë apo fakti që kjo heshtje nuk po i jep atë që kërkon. Nëse synimi është që pala shqiptare të reagojë, të nervozohet dhe të prodhojë deklarata që më pas mund të përdoren për të ushqyer një narrativë politike në Arbitrazh, atëherë deri tani kjo strategji nuk po funksionon. Qeveria dhe veçanërisht MIE nuk po ia jep këtë mundësi.

Ndoshta Pacolli është plotësisht i bindur se do ta fitojë arbitrazhin. Ndoshta MABCO ka argumentet që pretendon se ka dhe në fund do të jenë të huajt ata që do të vendosin se kush ka të drejtë. Por deri atëherë mbetet një pyetje fare e thjeshtë: Nëse e ke kaq të fortë dosjen, përse të duhet kaq shumë mikrofoni?

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *