Përfaqësuesit amerikanë që ishin në ndihmë të SPAK janë larguar. Kështu ka lënë të nënkuptohet Ambasada amerikane në Tiranë.

Vendimi ka ardhur pasi sekretari i Shtetit, Marco Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim USAID, pasi do të rishikohet.

“A janë larguar përfaqësuesit amerikanë që SHBA kishte sjellë për të mbështetur SPAK-un?”

Ka qenë kjo pyetja që emisioni “Opinion” i ka drejtuar përmes e-mailit zyrës së marrëdhënieve me publikun të Ambasadës amerikane, përgjigjen e të cilën gazetari Blendi Fevziu e ka lexuar në studio.

Blendi Fevziu: Elida Marvataj i ka dërguar një e-mail zyrës së marrëdhënieve me publikun të Ambasadës amerikane, në të cilën i pyet që pas deklaratave të kryeministrit se përfaqësuesit amerikanë që SHBA kishte sjellë për të mbështetur SPAK-un janë larguar, pyetjet kanë qenë:

-A janë larguar ekspertët amerikanë që kanë ardhur në Shqipëri për të mbështetur SPAK-un?

-Nëse po, a lidhet largimi i tyre me vendimin e Presidentit Donald Trump për ngrirjen e fondeve për institucionet shqiptare, apo ka një arsye të tretë?

Përgjigjja është: Ju faleminderit për pyetjen. Ju referojmë tek deklarata për shtyp e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit. Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim USAID për shqyrtim. Ai po fillon me rishikim të të gjithë programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së nën axhendën “Amerika e para”.

Presidenti Trump deklaroi se SHBA nuk do të japë më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort, nuk është thjeshtë gjëja e duhur për t’u bërë, por është një detyrim moral.

Mandati i popullit amerikan ishte i qartë, ne duhet të përputhemi me interesat kombëtare amerikane, departamenti dhe USAID marrin shumë seriozisht rolin e tyre si kujdestarë të dollarëve të taksapaguesve. Çdo dollar që shpenzojmë, çdo politikë që ndjekim dhe çdo program që financojmë, duhet të justifikohet me 3 pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurtë? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?

Zyra e marrëdhënieve me publikun e ambasadës së SHBA.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *