Policia e Tiranës ka proceduar penalisht funksionaren e Partisë Demokratike Adriana Kalaja.
Avokatja do të hetohet nga prokuroria për veprën penale të thirrjes për urrejtje nacionale dhe rrezikon nga dy deri në 8 vite burg. Uniformat blu iu referuan statusit në facebook të Kalasë, e cila i dilte në mbrojtje 55 vjeçarit Qani Muça, i cili plagosi me armë zjarri një punonjës të Inspektoratit të mbrojtjes së Territorit i cili ishte duke zbatuar vendimin për shembjen e banesës së tij.
Por në një intervistë për TCH, zonja Kalaja thotë se ajo kishte dashur të thoshte diçka tjetër.
Por nëse vetë zonja Kalaja thotë se nuk i qëndron asaj që ka shkruar, partia e saj e ka marre në mbrojtje. Jola Hysa sekretare e marrëdhënieve me publikun e konsideroi procedimin penal një akt politik duke këmbëngulur se deklarata e Kalasë ka dalë jashtë kontekstit.
“Partia Demokratike dënon thirrjen në polici të avokates Adriana Kalaja . E konsiderojmë një akt të qartë politik pa asnjë bazë ligjore dhe si përpjekje për të shmangur vëmendjen nga thelbi i ngjarjes dhe aksioni opozitar. Deklarata e zonjës Kalaja si avokate dhe aktiviste e shumë kauzave publike është nxjerrë qëllimisht jashtë kontekstit me synim krijimin e një ngjarjeje të re në ndihmë të makinës së vjetër të propagandës qeveritare”, u shpreh Jola Hysa
Zonja Kalaja është e njohur për deklaratat e saj të forta, si kjo e dy viteve më parë kur u shemb teatri kombëtar. Atëherë partia demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha mbështeti protestën.
Por sot, e drejtuar nga Sali Berisha, e njëjta seli mendon se deklarata e fundit e zonjës Kalaja, është thjeshtë një figure letrare.
Ne besojmë megjithatë se fraza e zonjës Kalaja ka qenë përdorim metafore, një shprehje popullore aq të njohur, dhe është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes fatkeqe, se sa një thirrje apo ushtrim dhune. /TCH