Afganistani sot është zgjuar në duar të talebanëve dhe tashmë është kthyer në një eksod refugjatësh që po përpiqen të largohen. Teksa mijëra qytetarë po tentojnë të lënë vendin në aeroportin e Kabulit janë shënuar 5 viktima. Nuk dihet se nga kanë ardhur të shtënat.
Duke parë situatën e krijuar, sot do të mblidhet Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për një zgjidhje. Probleme ka në aeroportin ndërkombëtar ku bashkangjitur stafeve diplomatike të shteteve perëndimore janë dhe mijëra afganë që po tentojnë të largohen.
Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dje, kur militantët islamikë hynë në kryeqytet, duke thënë se donte të shmangte gjakderdhjen. Pas kësaj qindra afganë tentuan të largoheshin nga aeroporti i Kabulit.
Talebanëve iu desh pak më shumë se një javë për të marrë kontrollin e vendit, pasi spastrimi “rrufe” përfundoi në Kabul me forcat qeveritare, të cilat ndonëse të stërvitura për vite të tëra dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, u dorëzuan.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillojnë bisedime me shumë vende, ndër to edhe Shqipëria, për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan. Kryeministri Edi Rama e ka pranuar kërkesën e SHBA për strehimin në Shqipëri të disa qindra afganëve. Rama thotë se kanë mikpritur kërkesa për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit.