Edhe pse republikanët e Mehdiut janë të gatshëm të regjistrohen në zgjedhjet e 13 Tetorit, Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste thotë se e njeh dekretin e Presidentit, por mbajtja e zgjedhjeve është një mision i pamundur.

“Afati i fundit i regjistrimit është 4 gushti, për këtë arsye është thuajse e pamundur. Është vetëm retorikë boshe që të përdoret në këtë periudhë vakuumi lajmesh për të thënë kush është dhe kush nuk është dakord me 13 Tetorin. Por, edhe nëse teknikisht do të zhvilloheshin dhe do të krijohej një dualitet pushtetesh, do të ishte turp i madh”, tha Duka.

Zgjidhjen e krizës, Duka e sheh tek dakordësia për zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

“Në negociata unë ulem edhe me Djallin, nuk e kam problem fare. E rëndësishme është që të kemi korrekt me atë që kemi komunikuar me publikun. Nuk mund të shkojmë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Ndaj, nëse ne arrijmë marrëveshje me mazhorancën, ku në tavolinë mund të jetë edhe Edi Rama si kryetar i PS-së, për të kaluar në fazën e krijimit të qeverisë tranzitore, natyrisht që ulemi”, sqaroi Duka.

Edhe Agron Duka beson se politika duhet të kërkojë ndihmë tek ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës: “Thirrja e Presidentit për të ndërmjetësuar ndërkombëtarët, mua më duket pozitive”.

Veritas.com.al/