Informacioni i ardhur nga media italiane se në vitin 2014 në Shqipëri kanë hyrë 130 kontenierë me mbetje të rrezikshme, ardhur nga Napoli dhe Kamorra, ka vënë në lëvizje edhe Aleancën Kundër Importit të Plehrave (AKIP). Informacioni është dhënë para disa ditësh. Sipas medias, mbetjet e rrezikshme ishin nisur nga Napoli për të kaluar transit nëpër Shqipëri; por në fakt nuk dolën kurrë nga Shqipëria.

Këtë e ka bërë me dije edhe Ministria e Mjedisit e Maqedonisë që “do t’i priste” mbetjet nga Italia për t’i përpunuar në landfillin e saj.  Ministria maqedonase tha se “në kufirin e këtij shteti” nuk kanë kaluar kurrë kontenierët.

AKIP i ka dërguar sot letër Ministrit të Mjedisit, Koka; Ministrit të Financave, Ahmetaj; dhe prokurorit të Përgjithshëm Llalla.

AKIP kërkon të dijë nëse kanë hyrë në vend kontenierë me mbetje gjatë viteve 2014- 2016. Nëse ka pasur hyrje mbetjesh, cilat dogana janë përdorur për kalimin e tyre?- pyet AKIP.

Me të njëjtin shqetësim, AKIP i është drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, nga ku kërkon informacion si për hyrjen e mbetjeve të rrezikshme, edhe për vendin ku janë groposur.

/Veritas.com.al/