Hetimi një vjeçar është finalizuar me vënien në pranga të 12 personave dhe shpalljen në kërkim të 6 të tjerëve gjatë operacionit policor “Parku”.

Pas ankesave të banorëve të zonës së ish-parkut, të cilët shprehnin shqetësimin se shitej drogë është realizuar mbledhja e informacioneve për autorët.

Në hetimin e kryer edhe me dronë është realizuar dokumentimi i veprimtarisë kriminale të 22 personave.

 Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar sasi me lëndë narkotike dhe shuma të ardhura nga shitja e lëndëve narkotike. Ata e zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën ish-parkut, në rrugën “Ndre Mjeda” dhe në rrugën “Frosina Plaku”.

Të arrestuarit janë D. Sh., 26 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”; F. P., 27 vjeç, J. H., 19 vjeç, I. G., 26 vjeç, D. B., 20 vjeç, J. C., 20 vjeç, O. D., 19 vjeç, F. S., 17 vjeç, L. D., 17 vjeç, F. P., 22 vjeç dhe D. M., 23 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim; A. Ll., 26 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Ndërsa janë shpallur në kërkim A. Ç., 27 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”; E. M., 22 vjeç, R. P., 25 vjeç dhe A. M., 19 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim; F. S., 27 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”; R. D., 21 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Moskallëzim krimi”.

VERITAS.COM.AL