Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mbajti një takim koordinues sot, 17 nëntor, në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të masave për përballimin e situatës që pritet të krijohet nga moti i keq.
Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile, tha se deri në datën 22 nëntor është parashikuar mot i keq në vend.
“Pjesa veriore kryesisht, ose e baseneve të Komanit dhe Vaut të Dejës do të kenë intensitet reshjesh mesatare dhe të larta, që do të ndikojë në pjesën e poshtme të Shkodrës dhe Lezhës, ku derdhen lumenjtë kryesorë”, deklaroi ai.
Tha se “sot të gjitha bashkitë dhe prefekturat në nivel kombëtar janë mobilizuar totalisht”.
“Data 18 mund të ketë intensitet të shtuar dhe reshjet të jenë të pranishme në të gjithë territorin”, nënvizoi Çako.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se “është bërë një shpërndarje e mjeteve që ndihmojnë bashkitë përmes bordeve të kullimit, qoftë për krijimin e pritave që ujërat të jenë sa më të kontrolluara”.
“Kam kërkuar edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të dislokohen që sot në terren, veçanërisht në Vaun e Dejës“, shtoi ai.
“Nuk do lëmë asnjë bashki vetëm kundrejt këtij rreziku”, theksoi Vengu.
“20 specialistë janë ndarë në grupe dhe janë kryer të gjitha shërbimet e mirëmbajtjes. 80 teknikë do të mbajnë nën kontroll të gjithë rrjetin kullues, 80 eskavatorë në Lezhë e Shkodër që do jenë në gatishmëri për ndërhyrjet e vazhdueshme. Edhe në Fier janë vënë 16 eskavatorë”, tha Ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
Komente