Bombarduesit strategjikë amerikanë kanë shkelur kufirin shtetëror rus mbi detin Barnec duke përbërë kështu një rrezik të madh për një përplasje në ajër. Fakti është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Pas zbulimit të një objektivi ajror që i afrohej kufijve rusë, ushtria ka ngritur avionët luftarakë MiG-29 dhe MiG-31, tha ministria në një deklaratë. MiG-ët i identifikuan avionët si dy bombardues strategjikë amerikanë В-52Н.

“Ndërsa avionët luftarakë rusë u afruan, bombarduesit strategjikë amerikanë rregulluan kursin e tyre të fluturimit dhe më pas u larguan nga kufiri shtetëror i Federatës Ruse”, tha ministria. Avionët luftarakë rusë e kryen fluturimin në përputhje me rregullat ndërkombëtare për përdorimin e hapësirës ajrore mbi ujërat neutrale, shtoi ministria ruse e mbrojtjes. Nga ana e tij Pentagoni nuk iu përgjigj kërkese së mediave ndërkombëtare për koment mbi këtë incident.

Rusia ka raportuar shpesh herë incidente të ngjashme më parë kur avionët e saj janë përballur me avionë ushtarakë nga vendet e NATO-s që fluturojnë afër kufirit të saj në një kohë tensioni në luftën në Ukrainë.

Ndërkohë bëhet e ditur se, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 75 dronë të lëshuar nga Ukraina, më shumë se gjysma e tyre mbi rajonin e Rostovit në jugperëndim, gjatë 24 orëve të fundit.   Dyzet e shtatë dronë u shkatërruan mbi Rostov, 17 mbi ujërat e detit të Zi dhe Azov, tetë mbi rajonin Krasnodar dhe dronë të vetëm mbi rajonin Belgorod, thekson Reuters duke cituar burime nga ministrja e mbrojtjes ruse.