Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sulmuar ashpër drejtësinë, duke e akuzuar Prokurorinë e Kosovës për qasje të njëanshme në hetime.

Ai tha se prokuroria “nuk reagon shpejt kur nuk bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendosje”, por “vepron menjëherë kur aludohet për ndonjë gabim procedurial të Vetëvendosjes”.

Kurti ka përdorur terma të ashpra ndaj prokurorëve, duke i quajtur ata “kërmij” dhe “lepuj”.

Gjatë një interviste për KTV, Kurti ka thënë se “11 ministri kanë dorëzuar 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim”. Por, Kurti pretendon se Prokuroria nuk po vepron.

“Me këtë rast, ajo çfarë unë mund të konstatoj është që kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë. Nuk ka aktakuza, nuk ka epilog”, ka thënë Kurti.

Kurti ka refuzuar të përgjigjet ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur si dëshmitar, duke e kritikuar drejtpërdrejt kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Aty nuk duhet si dëshmitar, Ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së.

Prokurorët ua kanë mësyrë krejt ministrave tanë. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët.

Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s’kam privatisht asgjë”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri e cilësoi Isufajn si “regjisor i pamjes kur Kurti hyn në Prokurori dhe bëhet lajm ndërkombëtar për korrupsion”.

Ai rikujtoi gjithashtu faktin se Qeveria dhe Presidenca nuk e kanë pranuar Isufajn si kryeprokuror, megjithëse ai është zgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Vështirësitë i kemi me kryeprokurorin e Shtetit që në krye është Blerim Isufaj. Fiks para një viti ai doli publikisht e na tha se është hequr urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit, tre muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku.

Në krye të KPK-së kemi një kësi lloj njeriu. Prokuroria s’është pjesë e zgjidhjes, është pjesë e problemit. Kupola e saj. Krejt këta prokurorë kanë të drejtë të bëhen kryeprokurorë, por po na thonë o Blerim Isufaj o askush tjetër. Për drejtësinë, nëse bëhet kryeprokuror Blerim Isufaj, largqoftë, ose dikush si ai, atëherë s’ka shpresë për drejtësinë”, ka thënë Kurti.

Pas akuzave të forta të kryeministrit të Kosovës, kreu i prokurorise special të Kosovës Blerim Isufaj ka paralajmëruar një konferencë për shtyp sot në oren 13:00

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *