Altin Dumani do të jetë kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pasi dëgjoi 3 kandidatët në garë, KLP vendosi që zoti Dumani të marrë frerët e luftës antikorrupsion, duke pasuar në këtë post Arben Krajën.
Sot u mbajtën seancat dëgjimore në KLP, ku fillimisht foli kandidati Adnan Xholi, më pas Altin Dumani dhe në fund Edvin Kondili. Secili prezantoi prioritetet e veta, por duket se Dumani ka bindur anëtarët e KLP. Ky i fundit mori 5 vota nga 10 anëtarë të pranishëm. Për zotin Kondili votuan 4 anëtarë. Ndërsa për kandidatin Adnan Xholi votoi vetëm një anëtar.
Ndërkohë duhet theksuar se në seancë shkoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila ndoqi nga afër mbledhjen.
Kush është Altin Dumani?
Altin Dumani vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai ka lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task-Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20-vitesh si Prokuror. Në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në Prokurori, me detyrë në Sarandë. Para se të shkrihej, ai ishte kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai bëri bujë me qendrimin që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Ndërsa që prej momentit kur është zgjedhur anëtar i SPAK ka hetuar çështje shumë të nxehta të krimit dhe korrupsionit.
Seanca dëgjimore në KLP
Gjatë prezantimit të platformës para anëtarëve të KLP, Dumani u shpreh se është tepër i motivuar për të marrë kreun e SPAK. Ai tregoi se ka eksperiencë në këtë fushë dhe ka hetuar shumë dosje me rëndësi.
“Suksesi varet nga bashkëpunimi institucional, puna në grup dhe integriteti personal i anëtarëve të SPAK. Sa herë me është dashur të angazhohem në garë është e vështirë, sepse ne jemi mësuar të përfaqësojmë akuzën dhe jemi të kursyer kur flasim. Kam një eksperiencë të gjatë në radhët e Prokurorisë. Iu përgjigja thirrjes për t’u bërë pjesë e garës, ndërsa prej tre vitesh jam anëtër i SPAK-ut. E kam parë si mision punën në SPAK dhe është shumë e vështirë”, tha Dumani.
Ai tha gjithashtu se ka ndjekur penalisht vepra me natyrë korruptive, duke çuar në gjykim Gjyqtarë dhe Prokurorë, apo drejtues të ndryshëm institucionesh. Dumani ka bërë një prezantim të punës së tij në 23-vite karrierë, duke theksuar se si pjesë e SPAK, ai ka hetuar plot 99 çështje, duke përfshirë 284 persona.
“U zgjodha një ndër anëtarët e SPAK, me një vlerësim maksimal. Për më tepër u bë rreth 3-vjet që jam anëtar i kësaj Prokurorie të Posaçme. Nuk e shoh si një vend pune, e shoh si një mision shumë të vështirë. Jam përpjekur që në këto 3-vjet të jap maksimumin tim. Më tej pata fatin të zgjidhem zv.drejtues në Prokurorinë e Posaçme. Garancia më e madhe në ndërtimin e një Prokurorie të Posaçme sipas atij vizioni që përmenda, është edhe bilanci që unë kam në këto tre vite. Kam marrë një ngarkesë të plotë në hetim dhe gjykim, kam hetuar 99 çështje dhe 284 persona të hetuar. Kam ushtruar ndjekje penale për vepra me natyrë korruptive. Po iu referohem vetëm çështjeve me vendim të formës së prerë”, tha ai.
Kreu i ri i SPAK zgjidhet në një moment kur jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe publiku kërkon rezultate, arrestime të zyrtarëve të lartë të implikuar në korrupsion dhe anëtarë të bandave të krimit të organizuar.