(FOTO: Leyla Moses-Ones, e ngarkuar me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë)/
Ambasada e shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një statusi në Facebook, ka shprehur ‘domethënie’ mbi dënimin me burg të Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Por ambasada, në të njëjtën kohë, kërkon Drejtësi më të thellë mbi krimin dhe për qytetarët.
Ja si shkruan Ambasada:
“Dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor.” -thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane.
“Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën”?” -mbyllet postimi i Ambasadës Amerikane.
Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje dënimin prej 55 vite burg në total për bandën e Emiljano Shullazit. Trupa gjykuese e kryesuar nga Fran Prendi vendosi të dënojë me 14 vite burg vetë Emiljano Shullazi.
Fajtor u gjet edhe Gilmando Danin, i konsideruar si krahu i djathë i Shullazit. Ai u dënua me 12 vite burgim për akuzat e gjobëvënies në dy raste dhe grupit të strukturuar. Për të njëjtat akuza, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela u dënuan me nga 10 vite burgim, ndërsa nëntë vite u firmosën për Blerim Shullazin.
Veritas..com.al/