Ambasada e SHBA i ka dhënë mbështetje Altin Dumanit, pas zgjedhjes në krye të SPAK. Ai mori 5 vota në KLP, 1 më shumë se Edvin Kodili, duke marrë në këtë mënyrë drejtimin e organit më të rëndësishëm të drejtësisë.

Mbledhja sot u monitorua dhe nga vetë ambasadorja e SHBA. Ajo u shpreh në ambientet e KLP se për SHBA nuk kanë rëndësi emrat, por ka rëndësi procesi.

Ndërkohë përmes një deklarate, ambasada e SHBA i ka dhënë edhe direktiva Dumanit, ku kërkon prej tij që të godasë të paprekshmit.

Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata.  Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin”, thekson ambasada e SHBA.

Sipas saj, koha e zyrtarëve të paprekshëm ka marrë fund. Ambasada po ashtu ka vlerësuar procesin e ndjekur nga KLP. Sipas saj, duhet që të gjitha institucionet të tregojnë integritet në punë e tyre.

Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore.  Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë”, thekson ambasada.

KLP sot zhvilloi seanca dëgjimore me 3 kandidatë e SPAK. Fillimisht prezantoi platformën Andan Xholi, më pas Altin Dumani dhe në fund Edvi Kondili. Por nga 10 anëtarët që ishin në sallë, 5 votuan për Dumanin, 4 për Kondlin dhe 1 për zotin Xholi. Dumani do ketë një mandat 3 vjeçar, i cili përfundon në dhjetor të vitit 2025.