Ambasada amerikane në Shqipëri ka zbardhur pas vizitën e ndihmës Sekretarjes amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, dhe Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Shqipëri, duke deklaruar se qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara.

Ambasada shkruan se ardhja e zyrtarëve amerikanë, rikonfirmoi mbështeten e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi.

Delegacionet, gjithashtu mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon dhe “nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Ata vunë në dukje rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën “shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”.

Takimi me kryeministrin Rama

Ndihmës Sekretarja për Byronë e Çështjeve evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, mëngjesin e së premtes takoi kryeministrin Edi Rama, ku diskutuan mbi një sërë çështjesh, që prej reformave të ndryshme në vend, investimet amerikane në Shqipëri si edhe integrimin evropian.

Në një postim në median sociale Facebook, kryeministri shkruan se ka diskutuar gjerësisht me Donfried mbi ecurinë pozitive të reformave dhe forcimin e drejtësisë.

Investimet strategjike në fushën e energjisë, kanë qenë ato të cilat lidhen drejtpërdrejt me investitorët amerikanë në Shqipëri.

Ndërsa, sa i përket integrimit evropian, pjesa më delikate vijon të jetë vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila e bllokon edhe Shqipërinë në vijimin e procesit.

Situata në rajon ka qenë objekt diskutimi. Teksa mbi nismën Open Balkan, duket se Rama ka gjetur sërish mbështetje nga amerikanët, siç deklaron kryeministri në fjalët e zyrtares së lartë amerikane.

Në fund, nuk kanë munguar as urimet për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimimit dhe në rajon, të cilat sipas Donfried, “janë mbresëlënëse”.

Takimi me Kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj

Pas takimit me Ramën, Donfried takoi edhe Kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj të cilit i siguroi “mbështetjen e saj për një opozitë të fortë dhe të qëndrueshme, pro amerikane”.

Gjithashtu ai tha se kanë folur për çështje të rëndësishme që po përballet Shqipëria.

Sipas Alibeajt, në fokus të diskutimit kanë qenë zgjedhjet, krimi i organizuar dhe shkelja e së drejtës.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së theksoi se ka shprehur vendosmërinë për t’i çuar përpara dhe për të dhënë kontributin e tyre.

Pjesë e takimit ka qenë edhe zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, si dhe diplomatja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Kujtojmë se Kim njeh Alibeajn si kryetar të komanduar të PD-së, çka ka sjellë dhe një sërë “përplasjesh” në distancë mes saj dhe ish-liderit të demokratëve, Sali Berisha.

Ky i fundit ka marrë në dorë selinë blu pas njohjes nga Gjykata e Tiranës së ndryshimeve statutore të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit – i thirrur nga Berisha, ku dhe doli Komisioni i Rithemelimit të Përkohshëm të PD-së.

Alibeaj mori detyrën pas dorëheqjes së kreut të bluve, Lulzim Basha. Por, Komisioni i Rithemelimit nuk e njeh atë si kryetar të komanduar.

Berisha, sakaq, ka akuzuar Kim se ka ndërhyrë në vendimet e Gjykatës, duke u sjellë si “guvernatore” dhe jo si ambasadore.

Turi i zyrtares së Lartë të DASH-it në Ballkanin Perëndimor
Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried

Turi i zyrtares së Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Karen Donfried, sipas agjendës, nisi më 25 prill me Kosovën, për t’u përmbyllur më 29 prill me Malin e Zi.

Gjatë kësaj kohe, përveç vendit tonë, ajo u ndal edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

/Albanianpost.com