Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë reagoi mbi propozimin që Edi Rama bëri në Kosovë për një president të përbashkët mes dy shteteve. “Të zhgënjyer” shfaqen amerikanët nga ajo që e quajnë “gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim”, duke iu referuar fjalimit të Ramës në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovë.
Deklarata e plotë:
“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”
Kryeministri Edi Rama, deklaroi në fjalimin e tij në parlamentin e Kosovës se një president i përbashkët Kosovë-Shqipëri do të ishte simboli më i mirë i një uniteti të të dyja vendeve.
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë- tha ai-. Mbase ky përfytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e nacionales. Por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, u shpreh Rama në parlamentin e Kosovës.
Veritas.com.al/