Nga  Cecile Ducourtieux /

 

Sipas BBC, Ivan Rogers kish deklaruar se negociatat për daljen nga BE mund të zgjasin një dekadë. Të parashikuara për në mars, ato duhet të hapen bazuar në nenin 50

Kjo ishte një surprizë – dhe mjaft ogurzezë, vetëm tre muaj nga fillimi i zbatimit të Brexit. Sir Ivan Rogers, ambasadori britanik pranë Bashkimin Evropian (BE), një njohës i mirë i Brukselit, ku punonte prej tre vjetësh, papritmas njoftoi dorëheqjen e tij të martën, 3 janar.

Në një deklaratë të lëshuar pasditen e djeshme, ekipi i tij saktëson se zoti Rogers “dha dorëheqjen disa muaj më herët nga ç’pritej (ai do të largohej në tetor] nga posti i tij si përfaqësues i përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar pranë BE- së. Sir Ivani e mori këtë vendim tani për të mundësuar emërimin e pasardhësit të tij përpara se Mbretëria e Bashkuar të kërkojë zbatimin e nenit 50, në fund të marsit. Ne i shprehim mirënjohjen tonë për angazhimin e tij dhe gjithë punën e bërë këto tre vitet e fundit”.

A ishte Z. Rogers viktimë e sinqeritetit të tij? Ky njeri i sjellshëm dhe i matur dashur ishte një nga këshilltarët kryesor të ish-kryeministrit David Cameron gjatë negociatave të “marrëveshjes” mes Londrës dhe Brukselit, e cila më në fund u hodh poshtë nga votuesit britanikë në qershor të vitit 2016. Megjithëse njohej si i afërt me z Cameron, Sir Rogers u rikonfirmua në postin e tij nga ana e kryeministres së re, Theresa May, por qe viktimë në dhjetor, e përgjimeve të zbuluara nga BBC.

“Sir Ivan nuk i zbukuronte kurrë këshillat e tij”

Ambasadori e kishte paralajmëruar qeverinë May, duke shpjeguar se negociatat për një marrëdhënie të re tregtare dhe politike mes Londrës dhe njëzet e shtatë anëtarëve të tjerë të BE-së mund të zgjasin deri në dhjetë vjet. Ky përgjim u shpërnda gjerësisht nga mediat britanike, organet “pro-Brexit” denoncuan anën tepër “pesimiste” të Z. Rogers, dhe që e vunë atë në një pozitë të paqëndrueshme përballë një kryeminstreje që s’resht së përsërituri gatishmërinë e saj për të arritur një “marrëveshje të mirë” me BE-në.

Gjithsesi, ato që supozohen si këshilla të tij nuk kishin tronditur askënd në Bruksel, ku numërohen me dhjetra ekspertët me përvojë në negociatat tregtare (me Kanadanë, Singaporin, Japoninë, SHBA-në, etj.), dhe ku dihet zakonisht se të mbyllësh një marrëveshje të tregtisë së lirë, qoftë edhe themelore, merr të paktën tre deri në pesë vjet.

Dorëheqja e Z. Rogers është mirëpritur nga brexit-ërsat, të martën. “Rogers pesimisti – që tha se Brexit mund të zgjasë një dekadë – po ikën. Është koha për të qenë optimistë!”, reagonte kësisoj në faqen e tyre në Twitter lëvizja Leave.EU.

Janë të shumtë ata që përkundrazi e kanë kritikuar. “Dorëheqja e Ivan Rogers zvogëlon shanset për një “marrëveshje të mirë” [për Londrën]”, vlerëson Charles Grant, i Qendrës Think Tank për Reforma Evropiane. “Sir Ivan nuk i zbukuronte kurrë këshillat e tij. Kjo e bënte atë shumë më të besueshëm tek shefat e tij [kur thoshte] se si i shihte ai gjërat në Bruksel”, deklaronte nga ana e tij Aled Williams, i cili ishte zëdhënës i zotit Rogers deri në mesin e vitit 2016.

Janë të shumtë, në Bruksel, ata që e përkthejnë lajmin e të martës, si një shenjë tjetër se evropianët ka shumë gjasa të përballen me një “Brexit vështirë”, një divorc i papritur, pa një marrëveshje tregtare dhe politike që ruan në maksimum marrëdhëniet në mes të Londrës dhe Njëzeteshtatëshes. “Britanikët janë strategjikisht të dobësuar. Ata do të emërojnë dikë më të bindur politikisht për Brexit-in, por edhe më me pak përvojë”, sigurote të martën një burim diplomatik evropian.

“Kjo dëshmon se është bërë shumë e mundimshme të jesh përfaqësues i përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar në Bruksel. Duhet të luash vazhdimisht lojën e Kasandrës me Londrën për realitetin e ardhshëm të negociatave dhe, në Bruksel, të durosh të jesh i lënë mënjanë, ndërkoqë që mbledhjet e Njëzeteshtatëshes shumëfishohen”, vlerësonte një tjetër diplomat në Bruksel, më i rezervuar në nxjerrjen e konkluzioneve për largimin e parakohëshëm të Sir Rogers-it.

/Veritas.com.al/