Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, në një intervistë të dhënë për media, publikuar sot në mëngjes, ka folur mbi kërkesat për reformën në Drejtësi.

Gazetari i gazetës ‘Dita’ i ka bërë një pyetje të gjatë prej pesë rreshta, ndoshta më gjatë se vetë përgjigja që priste, por po e koncentrojmë: Gazetari e pyet ambasadorin se ‘qarkullojnë zëra se njëra ose tjetra palë sjell në Shqipëri “ambasadorin e vet”, dhe u përgjigjet ambasadori atyre që nuk duan Reformën.

Ambasadori Lu është përgjigjur se ‘populli shqiptar e kërkon këtë reformë, nuk ka rëndësi kush ulet në karrigen time si ambasador”. Dhe pas kësaj ka përmendur personalitetet e larta botërorë që përkrahin reformën, mes të cilëve edhe zonjën Mogherini dhe presidentin Trump. Por emrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara Trump, ambasadori e rreshton pas zonjës Mogherini.

Ambasadori Lu, tha:

“Kjo është një reformë drejtësie shqiptare. Çdo familje që kam takuar në Shqipëri ka një histori prone që iu është vjedhur ose dikë të cilit i ishin mohuar të drejtat apo liria për shkak të një vendimi gjykate të korruptuar. Për sa kohë që populli shqiptar vazhdon ta kërkojë këtë reformë, nuk ka rëndësi se kush ulet në karrigen time apo në atë të Ambasadores Vlahutin. Mbështetja për reformën e gjyqësorit është shprehur nga Presidenti i BE-së Juncker, Zëvendës-Presidentja Mogherini, Komisioneri Hahn, Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Tillerson. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin këtë reformë deri sa të jetë përfunduar. Keni premtimin tonë”.

Por duhet shënuar se kjo është hera e parë që ambasadori i Shteteve të bashkuara përmend emrin e  presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i zgjedhur që në 9 Nëntor 2016.

Veritas.com.al/