Një ditë pas takimit me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka takuar në ambjentet e kryesisë së Kuvendit, kreun e Komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Në postimin e kryediplomates amerikane në Twitter, ajo i referohet Alibeajt si kryetar i komanduar i PD-së dhe jo në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar.

“Diskutim shumë i mirë sot me @pdshqiperi , Ushtruesi i detyrës së kryetarit @enkelejdalibeaj për një gamë të gjerë çështjesh. Ka pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD që në lindjen e saj. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së, shpresojmë që të dyja vetëm të forcohen dhe kemi shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!”, shkruan Kim.
Kujtojmë se një ditë më parë, ambasadorja amerikane u prit në një takim nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa detajet e bisedës i bëri publike përmes një postimi në rrjete sociale.

Në Twitter, Kim shkruajti se askush nuk është mbi ligjin, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjes me institucionet.