Në fillim të viteve 1920-të, një aktiviste dhe gazetare amerikane, e quajtur Rose Wilder Lane, erdhi në Shqipëri për të shkruar artikuj për punën e Kryqit të Kuq Amerikan.
Nga këtu, ajo deshi të shkonte të shihte Stambollin, por disa aktiviste amerikane të Kryqit të Kuq në Shkodër, i sugjeruan të vizitonte zonat e veriut të Shqipërisë, ku njerëzit ende jetonin në një mënyrë të vjetër, pa rrugë të shtruara, pa energji elektrike dhe pa shkolla, mes traditash e zakonesh të vjetra, raporton “CodeX” i KTV-së.
Gjatë një udhëtimi një javor në vitin 1921 nëpër Dukagjin dhe Malësi të Shalës, e shoqëruar nga një fëmijë jetim, me emrin Rexhë Meta, amerikania Rose Wilder Lane mblodhi materiale dhe mbajti shënime për atë që rezultoi të ishte një vepër udhëpërshkruese që ajo e botoi në Londër dhe New York me titull “Majat e Shalës” (“The Peaks of Shala”).
Kjo vepër është përkthyer dhe botuar disa herë në shqip. Mes përkthimeve të saj në shqip, është dhe ai i bërë nga gazetari dhe diplomati Avni Spahiu. I ftuar në emisionin CODEX të KTV-së, Spahiu ka folur pikërisht për lidhjet e Lane me botën shqiptare.
Në Malësinë e Shalës, Rose Wilder Lane mori një propozim për martesë nga bajraktari i Shalës, ndërkohë që Lane ishte shkurorëzuar nga burri i saj. Lane u dashurua aq shumë me shqiptarët sa që në vitet ‘20-të ajo qëndroi për periudha të gjata në Shqipëri dhe madje bleu një shtëpi në Tiranë.
Siç ka treguar dhe përkthyesi i dy veprave të saj në shqip, Avni Spahiu, Lane u mahnit edhe me Ahmet Zogun, atë kohë Ministër i Brendshëm i Shqipërisë, për të cilin besohet se u dashurua në mënyrë të njëanshme. ( Sipas Koha.net)/