Televizioni “Top Channel” transmetoi në edicionin e mbrëmjes se Presidenti i SHBA, Donald Trump, nuk mbështet protestën e opozitës.
Televizioni i referohej prononcimit të një zëdhënësi të ambasadës së SHBA në Tiranë, duke folur në emër të presidentit amerikan. Ky lajm u përhap me shpejtësi në të gjitha mediat pranë qeverisë, dhe jo vetëm.
Ish-deputeti i PS Andis Harasani, pasi ka parë këtë lajm ka ironizuar përmes një statusi në Facebook. Ai shkruan që para se Donald Trump të japë mendimin për protestën e opozitës, ka urdhëruar fillimisht të gjendet ora e ish-Presidentit George Bush kur ky i fundit vizitoi Shqipërinë në vitin 2007.
“Degjova këtë lajmin qe Trump nuk mbështet protestën e PD. Është shume i vërtetë. Trump ka kërkuar te gjenden hajdutet e orës se Bushit pastaj do japë qëndrimin e tij”, shkruan në Facebook Andis Harasani.
Kujtojmë se gjatë vizitës së Bush, ka qenë pikërisht Top-Channel që raportoi se ish-Presidentit amerikan i vodhën orën e dorës gjatë takimit me qytetarë. Këtë lajm, Bush e përgënjeshtroi duke thënë se e kishte hequr vet.
Harasani ngre dyshimin se njësoj si me lajmin e orës së Bush, edhe për fjalët e Presidentit Trump mund të jetë një gënjeshtër e Top-Channel.
//Veritas.com.al/