Gjykata Themelore në Prishtinë i shpalli fajtorë nëntë të akuzuarit për organizimin e sulmit të parandaluar në Shkodër ndaj lojtarëve të Kombëtares së Izraelit në futboll, raporton gazeta Express.

Tre prej të akuzuarve në rastin e grupit të dyshuar për organizimin e sulmit terrorist në Shkodër, ndaj Kombëtares së Izraelit, që ndodhen në paraburgim kanë refuzuar të vijnë në Gjykatë për të dëgjuar shpalljen e aktgjykimit ndaj tyre, raporton Gazeta Express.

Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Kenan Plakaj, Arton Ahmeti, Lulzim Gashi, Leutrim Musliu, Besart Peçi, janë të akuzuarit për këtë rast.

Visar Ibishi u dënua me 1 800 euro gjobë dhe 10 vjet burgim unik, Burim Istrefi me 3 vjet burg, Leutrim Vojvoda me 5 vjet burg, Flamur Gashi me 5 vjet burgim, Kenan Plakaj me 1800 euro gjobw dhe 1 vit e gjashtë muaj burg, Arton Ahmeti me 1 vit e gjashtë muaj burg, Lulzim Gashi me gjashtë vite burg, Leutrim Musliu me 3 vjet e 6 muaj burg dhe Besart Peci me 2 500 euro gjobë.

Gjyqtari Hamdi Ibrahimi, në arsyetim tha se gjykata ka vërtetuar se Visar Ibishi ishte lider i grupit dhe personi që është kontaktuar direkt nga Lavdrim Muhaxheri për të organizuar grupi dhe për të kryer sulmin, raporton Gazeta Express.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Veeritas.com.al/