Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi sekuestron e pasurive të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, të arrestuar për korrupsion.

Kështu Gjykata ka rrëzuar kërkesën e ministrit Koka duke pranuar atë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për sekuestrimin e kantinës së verës.

Ishte GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”. Në dëshminë e tij gjatë seancës ish-ministri theksoi se, “nuk e kam shkelur ligjin”.

Koka u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor. Ai shërbeu si ministër i Mjedisit në vitet 2013-2017.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Por, përveç Kokës, janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.

Akuza e LSI-së lidhet me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori. Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhet me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Koka akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Kush ishte Lefter Koka?

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.