Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u paraqit sot në Prokurorinë për Krimet e Rënda në orën 13:00 ku dha sqarime për pohimet e Alizotit në çështjen  ‘Babalja’.

Nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për median, në dëshminë e Veliut është mohuar çdo akuzë e Alizotit. Sipas drejtorit të Policisë, në atë datë që pretendon Alizoti se e kishte shoqëruar me makinë, ai kishte qenë në një aktivitet.

“Zoti Veliu ka mohuar që të këtë bërë një shoqërim të Fredi Alizotit. Ai tha se datën që Alizoti pretendon se është shoqëruar nga ai me makinë, ka qenë në një aktivitet”, tha Lala, ndërsa shtoi se Veliu nuk ka bërë asnjë deklaratë për mediat pas daljes nga Krimet e Rënda.

Kujtojmë se pas publikimit të videos në fjalë Policia e Shtetit mohoi se Veliu ka kontaktuar apo është shoqëruar me “’ personin në fjalë’ duke e quajtur videon fund e krye të pavërtetë. Për më tepër policia tha se mund të verifikohej lehtë se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti u shoqërua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera.

Veliu mohoi totalisht përfshirjen në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”.

Alizoti, i dyshuar si aktori që imitoi zërin e Agron Xhafajt në audio-përgjimin e ‘Babales’, në dëshminë e tij dhënë këtë të enjte në Prokurori, ka pranuar se videon e përgjuar të publikuar nga deputeti i PD-së Ervin Salianji, e ka realizuar pas datës 1 qershor, pra pas datës kur është marrë në pyetje nga Prokuroria. Ai akuzohet për “kallëzim i rremë”, ndërsa Prokuroria ka kërkuar për të masën ‘arrest me burg’.

Veritas.com.al/