Socialistët vendosën t’i qëndronin në krah Edi Ramës i cili po përballet me akuza publike për lidhjet dhe takimet me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, të arrestuar në SHBA. Nga selia e partisë, sekretari i përgjithshëm, Damian Gjiknuri i konsideroi qëndrimet publike si një tymnajë që synojnë të heqin vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
“Takimet nuk faktojnë krime të kryere nga autoritetet shqiptare apo përfshirjen e autoriteteve shqiptare. Kjo është një tymnajë e ngritur nga opozita shqiptare për të sfumuar pikërisht këto ngjarje dhe fakte të reja që kanë dalë në lidhje me 21 janarin”, tha Gjiknuri. “Nisur nga ato që kemi lexuar nga dokumentet e drejtësisë amerikane, i thonë të gjitha. Nuk ka krim më të madh se vrasja e qytetarëve të pafajshëm. Mendoj se drejtësia amerikane ka zbardhur atë çështje. E para, zyrtari i lartë i FBI ka qenë njeri i rëndësishëm dhe akuzohet për lidhje me pagesa të një oligarku rus dhe nuk ka lidhje me Shqipërinë. Ai ka thyer etikën profesionale për shkak të kontakteve që ka pasur. Rasti i Nick Muzin i është nënshtruar drejtësisë amerikane ku etiketohet se PD ka përfituar para ruse, deri sa ky fakt u fut në raportet e DASH. Problemi nuk ka të bëjë me takimet që ka bërë ai jashtë vendit”, tha Gjiknuri.
Mediat ndërkombëtare lidhin takimet ndërmjet Ramës e McGonigal me hetimet e nisura nga drejtësia amerikane ndaj dosjes së lobimit të PD-së në SHBA. Por për PS-në, financimi rus në PD është çështje e ndryshme nga dosja McGonigal. “Këtu s’mund të bësh fajtor kryeministrin e Shqipërisë apo zyrtare të tjerë që paskan takuar një zyrtar të lartë të FBI. Por mos të ngatërrojmë dosjen e provuar të Nick Muzin me çështje të tjera që janë duke u hetuar”.