Koronavirusi ka prekur të 50 shtetet e SHBA-së, pasi Virxhinia Perëndimore ka raportuar tashmë rastin e saj të parë.

Duke njoftuar për pacientin e parë me COVID-19, guvernatori i këtij shteti, Jim Justice, tha: “E dinim se kjo do të vinte”.

Mbi 6,300 njerëz janë të infektuar me koronavirus në SHBA, ndërsa 108 pacientë kanë humbur jetën.

 Në gjithë botën, gati 200,000 vetë janë infektuar dhe afro 8,000 të tjerë kanë vdekur, përcjell rel.

Zyrtarë të New Yorkut thanë se janë duke konsideruar izolimin total, si masë për frenimin e koronavirusit.

Kryetari Bill de Blasio tha se do të vendosë brenda dy ditësh nëse do t’i urdhërojë 8.5 milionë banorët e qytetit të vetizolohen.

 Një vendim i tillë mund t’i kufizojë në masë të madhe njerëzit, duke i lejuar ata të dalin nga shtëpitë vetëm për të blerë ushqime ose ilaçe dhe në disa raste të tjera.

Presidenti Donald Trump tha në një konferencë për media të martën se kufizimet në udhëtime brenda SHBA-së janë po ashtu opsion.