Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi është arrestuar nga policia pas një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme. 10 ditë më parë organi i akuzës njoftoi nisjen e hetimeve ndaj Rroshit, për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”.
Rroshi dyshohet se ka paraqitur rrethana të rreme në formularin e vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin”. Nëse shpallet fajtor për këto akuza ai rrezikon një dënim nga 6 muaj deri në 4 vjet burgim.
Pas publikimit të formularit të vetëdeklarimit, rezultonte se Rroshi kishte fshehur dënimin e tij në Itali. Në vitin 1992 ai është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për “përdhunim në grup” nga një gjykatë të miturish.