8 persona janë arrestuar në Tiranë nën akuzën e falsifikimit të 150 mijë biletave të transportit urban. Personat nën hetim janë kryesisht me detyrë administratorë të shoqërive të urbanëve në Tiranë. Falsifikimin, ata dyshohet se e kanë kryer në bashkëpunim me njëri tjetrin, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, raporton ABC Tv.
Në vijim të operacionit kundër informalitetit, Policia e Tiranës ka vënë në pranga 8 persona, të cilët falsifikonin biletat e transportit urban në kryeqytet. Bëhet fjalë për rreth 150 mijë bileta të linjave të ndryshme në shërbimin e transportit urban në kryeqytet.
Disa prej të arrestuarve kanë pasur detyrën e administratorëve si dhe kanë qenë ortak në shoqëri transporti.
Në pranga ka rënë Ferdinand Ibrahimi me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës , si dhe djali i tij Anastas Ibrahimi të cilit iu gjetën të fshehura biletat, në tentativë për t’i asgjësuar.
Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe Fatos Vrapin dhe bashkëshorten e tij Albana Vrapi bashkëpronare të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës.
Në pranga ka rënë edhe Evisa Vora, me detyrë administratore dhe që ka në pronësi linjën e Porcelanit, Lulëzim Allaraj dhe Aldi Duka, me detyrë dispeçerë të linjave të autobusëve dhe Klodiana Qato, me detyrë ekonomist në një shoqëri të transportit urban.
Policia bën të ditur se arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.
Këta shtetas, dyshohet se përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo ato të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.
Nëse 150 mijë biletat e falsifikuara do të biheshin në përdorim , shuma e tyre do të kapte blerën e 6 milionë lekëve.
Përveç biletave, në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar: një automjet të markës “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.
Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Veritas.com.al/